
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, për faktet penale në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, për kryerjen e veprave penale:
A- “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (e kryer tetë herë),parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurat e prokurimit me objekt:
1.“Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë).
2.“Plotësimi rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”.
3.“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”.
4.“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”. 5.“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
- “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”.
7.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”.
8.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”;
B- “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Nga kryerja e veprimeve hetimore në vijim të hetimeve paraprake, të shoqëruara edhe me metoda speciale të hetimeve, si dhe nga mbledhja e provave dixhitale dhe provave të tjera, kanë rezultuar të dhëna për fakte penale të reja, nëngarkim të të pandehurës Belinda Balluku.
Konkretisht, nga aktet e administruara kanë rezultuar të prova për veprime të kundraligjshme të të pandehura Belinda Balluku, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2 353 597 373.94 (dy miliardë e treqind e pesëdhjetë e tre milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre pikë nëntëdhjetë e katër) lekë pa tvsh.
Në lidhje me procedurën e prokurimit të sipërcituar, rezulton se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasit Arbër Troka, Gëzim Noni dhe Arlinda Gordani, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorin ekonomikë fitues të kësaj procedure prokurimit, bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Construcion” dhe “2T” sh.p.k, duke vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”, nenet 18, 19, 21, 42/2, 56, 76, 77, 80, 92, 95 të tij, me ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, nenin 3 të tij, si dhe VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, nenet 7 (pika 1, 2 dhe 9), 26, 27, 47 (pikat 2, 3, 4), 73, 82, 93, të tij.
Nga hetimi rezulton se e pandehura Belinda Balluku ka në pronësi faktike pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, e cila ka rezultuar se është një pasuri e fshehur.
Për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive nëpërmjet kontratës së sipëmarrjes, datë 26.10.2020, nëshumën 250,000 Euro, vlerë që përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë.
Ndërsa në vijim të ndërtimit të këtij objekti, investimi është marrë përsipër dhe realizuar nga shtetasi Arbër Abazi, pronar i shoqërisë “Alko Impex General Construction”, pjesë përbërëse e bashkimit të operatorëve ekonomikë të shpallur fitues në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. Sipas preventivit të punimeve të marra përsipër nga ana e shtetasit Arbër Abazi, vlera e këtij investimi varion nga 288,616 Euro deri në 410,526 Euro.
E pandehura Belinda Balluku, për shkak të funksionit, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, në procedurën e prokurimit të sipërpërmendur, ka kërkuar dhe marrë nga shtetasi Arbër Abazi, vlerën e përfitimit të parregullt, në formën e investimeve/punimeve në objektin “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë.
Për të fshehur përfitimin e krijuar si produkt i veprës penale të korrupsionit, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të shtetasit Igli Tare, sipas kontratës fiktive të shitjes, datë 12.09.2025.
E pandehura Belinda Balluku, për shkak të detyrës, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në bazë të neneve 3, pika 2, gërma“a”, neni 7, pika 1, të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” të ndryshuar, ka pasur detyrimin ligjor për deklarim të kësaj pasurie, por që nuk e ka bërë, me qëllim fshehjen e saj, nëpërmjet krijimit të dokumentacionit të pronësisë në emër të shtetasit Igli Tare.
Për faktet penale të reja në lidhje me pasurinë e paluajtshme“Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, rezulton se:
-E pandehura Belinda Ballku dyshohet se ka kryer veprat penale“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuara nga nenet 260 dhe 257/a, të Kodit Penal, si dhe për veprën penale“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.
-Shtetasi Arbër Abazi dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 të Kodit Penal.
-Shtetasi Igli Tare dyshohet se ka kryer veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.
-Personi juridik “Alko Impex General Construction” (shoqëri e shtetasit Arbër Abazi) dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 të Kodit Penal.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.591, datë 09.09.2026, ka vendosur:
-Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”mbi pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, me të dhënat e pasurisë së regjistruar Zona Kadastrale 1739, me numër pasurie 68/87/73, Volumi 9, Faqe 148, me sipërfaqe totale 478 m2, prej të cilave 478 m2 truall dhe 142.6 m2 ndërtesë (me përshkrim të veçantë “ sipërfaqe kati përdhe 142.6m2, sipërfaqe kati i parë 128.6m2, sipërfaqe nën parkim1 20.1m2, sipërfaqe nën parkim2 40.2m2).
Prokuroria e Posaçme vijon që të kryejë veprimet e nevojshme hetimore për këtë procedim penal, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe fakteve penale që janë objekt i këtij hetimi.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
and then