
Këshilli Bashkiak i Los Angelesit ka miratuar një fond prej 13.04 milionë dollarësh për Departamentin e Policisë së Los Angelesit (LAPD), në kuadër të përgatitjeve për sigurinë e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të vitit 2028.
Me një votim 8-3, këshilli dha dritën jeshile për blerjen e 107 automjeteve të reja, të cilat do të përdoren për reagimin ndaj incidenteve madhore, emergjencave me materiale të rrezikshme, sigurimin e ambienteve dhe perimetrave të impianteve sportive, si dhe për transportin e strukturave të komandimit.
Vendimi ka shkaktuar debate, pasi organizimi i “LA28” ishte promovuar fillimisht si një event me “kosto zero” për qytetin. Këshilli po shqyrton gjithashtu një kërkesë tjetër për 30 milionë dollarë financim. Këshilltarja Eunisses Hernandez, e cila votoi kundër fondit, paralajmëroi se shpenzimet për sigurinë mund të vazhdojnë të rriten.
Sipas saj, LAPD nuk ka burime të tjera financimi për të përballuar këto kosto brenda afateve të kërkuara. Problemi kryesor për policinë mbetet mungesa e efektivëve. Për sigurinë në tetë impiante sportive pritet të nevojiten rreth 6,700 policë, ndërsa LAPD parashikon se mund të sigurojë vetëm rreth 2,400 prej tyre. Shefi i LAPD-së, Jim McDonnell, ka kërkuar financim për 520 rekrutë të rinj dhe 300 automjete të reja.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se trajnimi i një efektivi të ri mund të zgjasë deri në dy vjet, ndërsa vetëm prodhimi i automjeteve të patrullimit kërkon rreth 18-20 muaj. Sipas LAPD-së, kostoja e sigurimit të Lojërave me personel mund të arrijë në 1.15 miliardë dollarë. Këshilli Bashkiak këmbëngul se këto shpenzime nuk duhet të rëndojnë mbi taksapaguesit.
Ndërkohë, financimi federal prej 1 miliard dollarësh për sigurinë e Lojërave, i miratuar përmes ligjit “One Big Beautiful Bill Act”, shihet nga LAPD si i pamjaftueshëm. Departamenti vlerëson se pjesa më e madhe e fondeve do të përdoret për personelin dhe se ende nuk është e qartë nëse blerja e automjeteve do të mbulohet. Me afrimin e “LA28”, siguria dhe kostot e saj po shndërrohen në një nga sfidat kryesore për organizatorët dhe autoritetet e Los Angelesit.
and then