
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka bërë deklarata të forta disa ditë më parë kur edhe publikoi materiale audio dhe dokumente që, sipas tij, implikojnë persona të rëndësishëm të politikës dhe biznesit në afera trafiku të armëve. Ahmetaj tha se biznesmenin izraelito-shqiptar Ron Yeffet, qeveria e ka pajtuar për të kryer të gjitha veprimet e paligjshme. Regjistrimi, i cili zgjat rreth tre orë dhe daton në janar 2026, përfshin biseda të Yefet me dy persona të tjerë, një ukrainas dhe një rus. Sipas Ahmetaj, këto biseda zbulojnë përpjekje për të vjedhur pasurinë publike, duke filluar me gazin e Delvinës, dhe për të krijuar një strukturë kriminale nën mbulesën e kompanive shtetërore.
Në përgjim, Yefet pretendon se nuk ndjek asnjë rregull dhe se paratë për operacionet do të sigurohen nga shqiptarët përmes kompanive të krijuara posaçërisht. Ahmetaj e lidh këtë me të ashtuquajturin “koncept KAYO”, një model ku shteti krijon kompani me pjesëmarrje minoritare, ndërsa pjesa më e madhe e aksioneve dhe e kontratave pa tender kalon te privatët. Ky model, sipas tij, është përdorur më parë dhe po aplikohet sërish për të grabitur burimet e shtetit, duke krijuar një zinxhir kompanish ku fondet publike devijohen në mënyrë sistematike. Përtej grabitjes së gazit, përgjimi ngre dyshime edhe për trafik armësh, duke përfshirë materiale që dyshohet se vijnë nga Afrika për t’u paketuar në Shqipëri dhe më pas rieksportuar. Ahmetaj ka paralajmëruar se ky është vetëm një fragment i materialeve që zotëron dhe se do të vijojë me publikime të tjera për të dokumentuar akuzat e tij.
Koncepti “Kayo” kompani kriminale, Yeffet aksioner i TIMAK dhe TIMAK Defence me Arjeta Puca
Ish-zëvendëskryeministri foli edhe për atë që e cilësoi si “konceptin Kayo”, kompani kriminale, duke pretenduar se ai shtrihet në disa fusha që, sipas tij, lidhen me veprimtari kriminale. Ahmetaj paralajmëroi se materialet do të shoqërohen edhe me dokumente dhe të dhëna të tjera, duke përmendur udhëtime me charter, qëndrime në hotele në Itali dhe persona të tjerë të lidhur, sipas tij, me këto zhvillime.
“Bëhet fjalë për audiopërgjimin, se s’dua t’i mbaj në suspensë askënd, se nuk është ky qëllimi. Bëhet fjalë për personazhin shumë të njohur në Shqipëri tashmë, amerikano-izraelito-shqiptarin Ron Yefet. Çfarë është Ron Yefet? Ron Yefet është parë në Shqipëri në vitin 2008 dhe ka një marrëdhënie të hershme me kreun e organizatës. Është amerikano-izraelit edhe shqiptar. Pra, i ka të treja pasaportat, mos gabohem, pastaj se s’kanë ndonjë vlerë. Është personi që unë kam denoncuar, që ka kërkuar kreu i organizatës t’i mbyllë borxhin e Shqipërisë. Ky është pikërisht personi që Ditmir Bushatit i është kërkuar t’i dorëzohet ambasada e Nju Jork-ut tonë, për ndërtim, për Ron Yefetin. Dhe sot ka shumë elementë.
Po dua përpara të shpjegoj. Ron Yefeti është zotëruesi 49% i kompanisë Timak sh.p.k. Timak sot zotëron 80% të kompanisë Timak Defense, ndërsa 20% zotërohen nga KAYO. Pra, ne e kemi denoncuar konceptin KAYO. Do dëgjoni në audiopërgjim, koncepti KAYO si koncept kriminal shtrihet sot në të gjithë damarët financiarë të shtetit në mënyrë kriminale. Është i janarit 2026. Të këtij viti. Pra, Ron Yefeti ka Timak Special Vehicles që i ndërrojnë emrin nga MAN në Land Cruiser, ia ndërrojnë në shkëmbi, Timak Defense e të tjera. Qesharake. Edhe kuptohet që aktori kryesor është kreu i organizatës, se do shikojmë pastaj në disa dokumenta shumë interesantë kontributin e Ron Yefetit këtu.
Pastaj ka UNO 18 me Arjeta Puca që kanë edhe këtë Advanced Arms Technology që praktikisht në audiopërgjim do kesh elementë të trafikut të armëve. Do kemi dhe Ermal Raketën. Ermal Nufin, sepse sot pseudonimin në Ministrinë e Mbrojtjes e ka Ermal Raketa. Ministri aktual i Mbrojtjes do ta them pak më vonë. Pastaj ke këto Timak Aviation me Arjeta Puca. Kush është Arjeta Puca? Do t’ia lëmë Plugut, se ka drejtues shumë interesantë tek Plugu.
Dhe pastaj ke Timak Horse Club, se sigurisht që kur vjedh paratë e buxhetit të shtetit, të duhen që të kalosh te jahtet, te avionët, te golfi, tek fërkimi nëpër hotelet në Itali me 10,000 euro apo 80,000 dollarë të katër bileta, apo nga një biznesmen 12 fluturime me charter, se s’ke ku të shkosh. Ky është kreu i organizatës. Pra, pa dashje të gjithë përplasen nganjëherë dhe te Ekosi. Ku koordinatori ka bërë atë që ka bërë. Unë Ron Yefetin sot e quaj Ergys Agasi anglishtfolës. Ky personazh është identik Gysi Agasi ndërkombëtar. Identik”, deklaroi Ahmetaj në Çim Peka Live.
“Raketat e kapura nga autoritetet italiane në portin e Barit, duhet investigim”
Arben Ahmetaj e përmendi rastin teksa fliste për tenderat dhe sektorin e mbrojtjes, duke pretenduar se pas ngarkesës së kapur në Itali mund të ketë elementë që lidhen me trafikun e armëve në vendin tonë. Ai thotë se raketat e kapura nga autoritetet italiane vinin nga Greqia dhe sugjeron se destinacioni lidhej me Shqipërinë.
“Jemi duke folur për trafik armësh, ku një palë flet për tendera, Ukraina siç thonë nuk i bëjnë dot gjërat pa tendera, se jemi në sytë e NATO-s. Vendi i NATO-s i bën pa tendera se është vendi ku kreu i organizatës po shet çdo gjë. Po shet çdo gjë! Ia bëra sfidë miqësore qytetarëve, me gjet në një pikë në hartë që s’e ka dhënë… Kudo. Në hartën e Shqipërisë. Pra vazhdojmë, jemi duke folur për trafik amësh, madje madje, një ngacmim të vogël gazetarëve investigativë jua bëj.
Shiheni një çikë këtë rastin ku në Itali është kapur një furgon me raketa… lufte. Sigurisht. Shiheni një çikë. Se mund të zbuloni mbrapa gjëra shumë interesante. Shumë interesante, të trafikut të armëve. Shiheni një çikë, nuk është pa gjë. Unë deri këtu e lë gjënë. Këtë mundësi kam, këtë informacion kam, këtë informacion e ndaj me shqiptarët. Ky informacion ja vlen të ndahet. Pra shikojeni, se mund të ketë lidhje. Janë disa raketa që janë kapur nga autoritetet italiane në jug të Italisë që vinin nga Greqia, për të… për të prodhuar në Shqipëri”, tha Ahmetaj.
Përgjimi/ Ron Yeffet për depozitat e gazit në Shqipëri: Shkoni në Vlorë, bëni ç’të doni! Ministrinë e Energjisë ma lini mua
Në audiopërgjim e siguruar nga ish-ministri Arben Ahmetaj, Ron Yeffet zhvillon bisedë me tre shtetasit e huaj, mes tyre një ukrainas, një rus dhe një grua e identifikuar si Tatiana, e cila shërben si përkthyese. Në bisedë, Tatiana propozon që t’i dërgohet një letër zyrtare Ministrisë së Energjisë për të marrë informacion mbi gazin në Vlorë, por Yeffet e kundërshton.
Pjesë nga përgjimi:
Tatiana: Do të përgatisim një letër zyrtare për Ministrinë e Energjisë, që të arrijmë informacion për gazin në Vlorë. Një letër zyrtare.
Ron Yeffet: Përse? Jo, jo, asnjë letër zyrtare. Jo! Shikoni, shikoni, shkoni në Vlorë dhe shikoni, bëni çfarë të doni, më pas do të merrem unë me ta. Nuk do të dërgoni asnjë letër, nuk do të dërgoni asgjë. Informacioni është për ne, jo për ministrinë.
Tatiana: Dakord. Çështja është thelbësore, ajo që na tha ajo është thelbësore. Të bazohemi vetëm në një vizitë në vend do të ishte joeficiente, e pamjaftueshme. Një inspektim fizik, kompania nuk do të kuptonte asgjë.
Ron Yeffet: Mbështetuni te unë për Ministrinë e Energjisë. Do të shkojmë në Ministrinë e Energjisë, do të flasim me ta për çdo gjë, por mos e përmendni emrin tim në Vlorë.
Tatiana: Dakord.
Ron Yeffet: Dakord. Ju do të përfaqësoni një kompani amerikane.
Tatiana: Dakord.
Ron Yeffet: Do të kontrolloni, do të pyesni për çdo gjë dhe ata do të bashkëpunojnë. I thashë asaj të vijë të hënën, të qëndrojë këtu. Do të shkoni në ministri një, dy, tre herë.
Tatiana: Mendoj se ajo do të vijë të mërkurën.
Ron Yeffet: Nëse ajo vjen të hënën dhe qëndron, sepse ajo nuk do të jetë të mërkurën dhe të premten, askush nuk punon këtu. Nuk është eficiente, të jemi më eficientë.
Tatiana: Dakord.
Ron Yeffet: Nëse jo të mërkurën, ata vijnë të premten, asgjë nuk ndodh dhe ajo duhet të qëndrojë këtu derisa të përfundojmë. Unë dua ta përfundojmë, ju duhet të kuptoni, kam nevojë të filloj. Ne duhet të mbyllim marrëveshje.
Tatiana: Ai po vjen nga Johannesburg. Të hënën do të jetë këtu, nga e marta në mëngjes.
Ron Yeffet: Por ai nuk largohet deri në fundjavë.
Tatiana: Dakord.
Audiopërgjimi i ri:
Ron Yeffet: Ne mundemi, mund t’i blejmë dhe ti shesim këto, por paralelisht me këto mendoj se do të ishte shumë e mençur që të hapnim një fabrikë atje.
Ron Yeffet: Dhe mund të kemi dikë që ti drejtojë këto biznese sepse …
Tatiana: Pra, meqenëse ata nuk kanë punuar kurrë në Afrikë, si mendoni të veproni në këto raste referuara në dimensionin e shitjes me pakicë në Sudan, për të parë se si funksionon, si është dhe pas kësaj, për shkak se paketimi është i vështirë të bëhet.
Ron Yeffet: Më duhet ndihma e tyre në drejtimin e këtyre bizneseve sepse, ti më kupton …
Tatiana: Po, sigurisht, por për këtë më duhet një leje (konfirmim), e di, mendoj se për të punuar duhet një leje, konfirmim.
Ron Yeffet: Pra, udhëto me mua atje, eja me mua. Unë sa u ktheva nga atje, Arjeta dhe njerëz të tjerë po punojnë me mua atje. Udhëto me mua për të parë, për të parë, ti duhet të më kuptosh që të jem … Do të jap të gjitha marrëdhëniet, lidhjet dhe gjithçka, dhe ti do ta ndjekësh nga ai moment. Nuk kam kohë ta ndjek dhe të bëj…
and then