Mediat belge jehonë revoltës studentore: Protestat kundër qeverisë në Shqipëri përshkallëzohen, të rinjtë kërkojnë largimin e Ramës

Protestat kundër qeverisë në Shqipëri kanë përfunduar në përplasje të dhunshme për të tretën ditë radhazi, ndërsa pakënaqësia e studentëve dhe qytetarëve ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama vijon të rritet. Zhvillimet e fundit janë pasqyruar edhe nga media belge VRT NWS, në një artikull të gazetares Kathleen Heylen.

Sipas raportimit, protestuesit kërkojnë reforma në arsim, luftë kundër korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, një kërkesë që opozita qytetare e artikuluar përmes protestave e ka ngritur prej muajsh.

Demonstratat e zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Sipas medias belge, protestuesit kanë hedhur gurë dhe fishekzjarrë drejt godinave shtetërore, kanë bllokuar rrugë dhe kanë djegur kazanë mbeturinash, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, granata verbuese dhe topa uji.

VRT NWS raporton se lëvizja studentore është nxitur nga pakënaqësitë për cilësinë e arsimit, kostot e larta të studimeve dhe mundësitë e kufizuara për punësim. Megjithatë, sipas raportimit, protestat janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe asaj që demonstruesit e konsiderojnë korrupsion dhe pabarazi.

Një tjetër çështje që ka shtuar zemërimin publik lidhet me projektin për ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, i lidhur me kompaninë e investimeve të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.

Artikulli përmend raportimet e Reuters për dyshime mbi dokumentet e pronësisë së një pjese të tokës ku është planifikuar projekti. Megjithatë, Reuters nuk gjeti prova për shkelje nga ana e Kushnerit, i cili nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin e pronësisë.

Përmes dëshmive të studentëve dhe qytetarëve, artikulli pasqyron pakënaqësinë ndaj kushteve të jetesës, mundësive për punësim dhe funksionimit të institucioneve publike.

Organizatorët e protestave kanë deklaruar se mobilizimi do të vijojë, pavarësisht përplasjeve me policinë dhe reagimit të autoriteteve.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes. Në deklarata të cituara nga Reuters, ai është shprehur i gatshëm të diskutojë për kostot e arsimit, por ka mbrojtur mandatin e tij qeverisës, duke e lidhur atë me objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në reagimet e tij, kryeministri ka dënuar aktet e dhunës dhe dëmtimin e godinave, duke paralajmëruar se personat përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

“Askush nuk mund ta kapë Shqipërinë për fyti. Kushdo që mendon se ligji nuk vlen për të, e ka gabim”, citohet të ketë deklaruar Rama.

Raportimi i VRT NWS vë në dukje se, përtej kërkesave fillestare për reforma në arsim, protestat janë shndërruar në një sfidë më të gjerë politike për qeverinë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse mobilizimi qytetar do të sjellë ndryshime konkrete në qëndrimin e autoriteteve.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×