“Pretendime për dhunë dhe kontrolle të paligjshme të telefonave”, zbardhet raporti i Avokatit të Popullit: 18 të mitur mes të shoqëruarve për protestën

Komisioneri i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit ka publikuar një raport monitorimi për shoqërimet e rreth 50 personave në komisariate për protestën e së hënës, ku 18 prej tyre janë të mitur. Në raportin paraprak, komisioneri thekson se dhuna ndaj një të mituri në shoqërim është shkelje absolute dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo rast.

Të shoqëruarit pretenduan për dhunë gjatë momentit të ndalimit, duke përfshirë përdorimin e sprajit me piper dhe të gazit lotsjellës, goditje me bombol gazi lotsjellës, tërheqje zvarrë, si dhe dhunë fizike dhe psikologjike nga punonjësit e Policisë së Shtetit.

Një ankues, sipas Avokatit të Popullit, pretendoi se u godit në një zyrë të Komisariatit nr. 4, ku nuk ka kamera sigurie. Disa të mitur dhe të rritur raportuan se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat celularë dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale, pa vendim gjykate, madje edhe kur nuk kishte akuzë të ngritur nga prokuroria, duke nënvizuar se kontrolle të tilla janë të jashtëligjshme. Disa ankues deklarojnë se u shoqëruan në komisariat pa pasur një shkak të ligjshëm, pasi ata ishin kalimtarë të rastit, pa lidhje me protestën.

Në komisariatet 2 dhe 4 u evidentuan punonjës policie pa numra identifikues, si dhe mangësi të dhënash në regjistrat e shoqërimit. Ndërkaq, në Bllokun e Sigurisë janë shoqëruar 109 persona, përfshirë 1 të mitur dhe 4 gra. Mbingarkesa e ambienteve është e lidhur drejtpërdrejt me mungesën e shtretërve, ujit, ngrohjes dhe kujdesit mjekësor. Avokati i Popullit i kërkon Ministrisë së Brendshme të ndërhyjë urgjentisht për mbingarkesën në Bllokun e Sigurisë, me zvogëlimin e menjëhershëm të numrit të personave dhe transferimin në ambiente të tjera brenda kapacitetit ligjor.



“Arena e Lajmit”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×