Me merkaton e bërë, Kukësi është munduar deri diku që të krijojë njëfarë rivaliteti në skuadër midis lojtarëve, në mënyrë që askush të mos e ketë vendin të sigurt në formacion. Nëse për mesin e fushës është një “rebus” më vete se cilëve do t’u besohen “çelësat” e këtij reparti, në një situatë të tillë ndodhet edhe maja e sulmit.
Aktualisht “pykën” te kjo skuadër mund ta bëjnë vetëm Zivkoviç dhe Daci dhe me sa duket dueli për një vend titullari do të jetë i fortë deri në fund. Deri më tani Kukësi ka zhvilluar vetëm një takim miqësor, atë në shtëpi ndaj ekipit të 21- vjeçarëve, ku ndër të tjera spikati sulmi, pasi u shënuan plot katër gola. Pikërisht kjo ndeshje ka shtuar dilemat e Gegës sa i përket këtij reparti dhe “fajtori” është Kejdi Daci. 23-vjeçari shënoi dy golat e parë të sfidës, duke fituar edhe duelin direkt me Zivkoviçin, pasi njëri midis tyre pritet të ketë rolin e titullarit në ekip, edhe pse në këtë miqësore tekniku i aktivizoi të dy që në start. Kroati u afrua këtë merkato vere për të bërë “pykën” kryesore, por po sheh të humbasë terren në krahasim me Dacin, i cili po tregon një formë të mirë dhe po lufton fort për të qenë ai lideri i këtij reparti.
Jo rastësisht, këtij të fundit për momentin i është dhënë edhe numri “9”, që njihet gjerësisht si numri i atij lojtari që do të ketë detyrën e sulmuesit kryesor në ekip. Megjithatë, ai që i gëzohet më shumë këtij fakti është vetë trajneri, i cili tani ka më shumë rivalitet në skuadër dhe do të ketë mundësi përzgjedhjeje. Daci, e nisi sezonin e kaluar me Kukësin, ku shënoi edhe një gol, por në merkaton e janarit u dërgua huazim te Teuta, për t’u rikthyer sërish te verilindorët me uljen e Gegës në stol.
MERKATO
Ndër të paktat reparte që ka nevojë për përforcime, përveç mbrojtjes, është edhe porta. Ditë më parë gazeta raportoi për një interesim të Kukësit për portierin e Partizanit dhe Shpresave, Vokli Laroshin, ndërsa së fundmi bisedimet janë intensifikuar mes palëve. Verilindorët shpresojnë që të paktën ta afrojnë në huazim gardianin për këtë sezon, por mbetet për t’u parë përgjigjja e të kuqve, të cilët zotërojnë kartonin e 21- vjeçarit. Gjatë këtij sezoni Laroshi ka vuajtur mungesën e hapësirave në skuadër, të cilat shtohen edhe më shumë pas afrimit të Rexhepit. Nga ana tjetër, e domosdoshme për Kukësin është edhe afrimi i një mbrojtësi të majtë për të dubluar Ndrecën, ndaj nga sa mësohet, drejtuesit po shohin në tregun shqiptar për një lojtar të tillë, por po hasin vështirësi. Nëse nuk gjejnë, atëherë zgjidhja do të vijë ose nga akademia ose nga përshtatja e ndonjë futbollisti.
V. MEMA-Arena e Lajmit

Loading…