Për shekuj të tërë, njerëzit e kanë përdorur çajrat bimorë për të zgjidhur një sërë problemesh me stomakun.
Këtu përfshihet diarea, fryrjet dhe shtrëngimet e stomakut.
Këto çajra janë veçanërisht të rekomanduara kundër pagjumësisë, ankthit dhe stresit.
Njerëzit që përballen me stres të vazhdueshëm, e kanë të nevojshme të aplikojnë teknika të ndryshme qetësuese por edhe të bëjnë një gjumë të qetë.
Rituali më i mirë kundër stresit është pirja e një çaji bimor në mesditë dhe përpara gjumit.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, kamomili është një bimë shumë efikase për shëndetin mendor.
Një studim i publikuar në revistën BMC Complementary and Alternative Medicine, të cilit i referohet AgroWeb.org, zbuloi se kamomili jo vetëm që qetëson nervat por edhe përmirëson funksionin ditor të njerëzve të prekur nga pagjumësia.
Sipas studimit, thjesht aroma e kamomilit qetëson trurin dhe organizmin e stresuar.
Shkencëtarë të tjerë të fushës thonë se çaji i kamomilit rrit nivelet e melatoninës dhe serotoninës në organizëm.
Këto dy hormone janë të domosdoshme për një jetë pa stres dhe shqetësime.
Një teori tjetër për efikasitetin e kamomilit thotë se flavonoidi apigeninë që gjendet tek kamomili lidhet me receptorët e trurit dhe nxit qetësimin e tyre.
Përveç stresit, kamomili është shumë i mirë kundër migrenës dhe dhimbjeve të kokës.
Ai eliminon simptomat klasike të ankthit.
Të rriturit që kanë probleme me gjumin mund të konsumojnë 1 deri në 4 filxhanë çaj kamomili në ditë.
Një filxhan çaj duhet pirë patjetër përpara se të bini për të fjetur.
Nëse vuani nga stresi dhe ankthi, ekspertët rekomandojnë pirjen e dy deri në tre filxhanëve në ditë.
Efikasiteti i çajit është i tëri në varësi të problemit.
Nëse çajin e pini për t’u relaksuar apo për gjumë, atëherë ndikimi i tij ndihet pas gjysëm ore deri në një orë.
Për përgatitjen e tij mjaftojnë dy lugë çaji me kamomil të thatë në një gotë ujë.
Pas zierjes për 5 minuta, hiqeni nga zjarri dhe mbulojeni enën me kapak për 10 minuta.
Më pas kullojeni dhe ëmbëlsojeni me mjaltë./AgroWeb.org

and then