Kanë kaluar shumë lojtarë dhe trajnerë tek Interi që nga mbërritja e tij, por ai është gjithmonë aty. Samir Handanoviç po nis vitin e tij të 11- të si portieri i zikaltërve dhe as mbërritja e një të riu si Andre Onana nuk duket se do ta ulë në stol 38-vjeçarin slloven. Në një rrëfim për “La Gazzetta dello Sport”, kapiteni ka zbuluar raportin e tij me Inzagin e Lukakun, pa lënë mënjanë bisedën me Radunë pas Bolonjës, ndërkohë që ka nominuar Shkriniarin si thelbësor për ekipin.
Handa, 11 vite martesë me Interin. Në ditët e sotme nuk është e lehtë të zgjasësh kaq shumë…
Për mua, të qëndruarit kaq gjatë tek Interi është nder dhe përgjegjësi, por edhe përkatësi, identitet. Nëse kam qëndruar deri tani, është sepse ndihem mirë dhe jam rritur bashkë me klubin.
Nuk ka pasur kurrë një krizë martesore mes jush dhe Interit?
Nuk jam mërzitur kurrë: pasioni dhe uria kanë rëndësi. Këtu nxit historia, e dija që pas kohëve të vështira do të vinin fitoret.
Çfarë është “interizmi”, ky identitet për të cilin flitet kaq shumë?
Të emocionohesh për fanellën. Ta shikosh këtë vend jo vetëm si punë, por si diçka me të cilën të lidhin ndjenjat, pavarësisht rezultateve. Mund të largohesh kur të duash, por pastaj shumë duan të kthehen…
Madje, një e bëri. U habitët që Lukaku u kthye?
Jo, sepse pashë si ndihej te Çelsi, dëgjova intervistën e tij të famshme, ku ndihej nostalgjia. Duhet të dish në cilën dhomë zhveshjeje po shkon dhe çfarë po lë mbrapa dhe Rom e dinte që jona ishte pozitive, e shëndetshme, në harmoni.
Çfarë i thatë atij si kapiten?
Asgjë, nuk ishte e nevojshme. Përkundrazi, unë vazhdoj të tallem me të, sepse ai akoma zemërohet nëse humbet një ndeshje në stërvitje. Është sikur të mos ishte larguar kurrë, është i njëjti person si më parë, ndërkohë që për lojtarin do të flasë fusha.
Por a është e vërtetë që vetëm prania e dikujt si Lukaku ngjall frikë te kolegët tuaj portierë?
Për ne është normale sepse jemi mësuar me të, e kuptoj që mund të jetë frikësuese për të tjerët. Unë si portier më shumë kam frikë nga ata trupvegjlit. Gjigantët si ai mund t’i shohësh…
Dalja e parë dhe Inzagi thotë: “Titullar është Handa, e meriton…”
Është ai që i bën zgjedhjet. Ne kemi një marrëdhënie siç duhet mes një kapiteni dhe një trajneri: ne bëjmë gjithçka për të mirën e Interit. Unë e di se cili është vendi im, respektoj rregullat dhe hierarkitë, pastaj nëse është e nevojshme shpreh mendimin tim.
Një pohim tjetër, nga Onana: “E respektoj Samirin titullar, unë do të bëj tifo për të nga pankina”.
Këto janë fraza të rëndësishme sepse i japin qetësi mjedisit, por e dimë që të gjithë duan të luajnë. Nuk do të më çudiste edhe nëse do të thoshte ndryshe. Është një konkurrencë normale, na bën mirë të dyve.
A do të luajë Onana më shumë se zëvendësuesit tuaj në të shkuarën?
Nuk e di, por ka shumë ndeshje, gjithçka mund të ndodhë dhe trajneri vendos gjithmonë. Por skuadra përfiton sepse ka dy portierë të fortë.
Kapitulli Radu, të kthehemi në atë mbrëmje të Bolonjës.
Ishte një hidhërim i madh, por gjëra që ndodhin dhe një sezon nuk varet kurrë nga një ndeshje. Nuk i thashë asgjë atë mbrëmje, fola të nesërmen me të. I thashë se ai episod do ta bëjë të rritet si portier, por mbi të gjitha si njeri. Ionut duhet ta dijë se do të gabojë përsëri, si të gjithë, por ka mundësinë të demonstrojë cilësitë e tij.
Por a nuk po abuzohet në përfshirjen e portierëve në lojën me këmbë?
Është një domosdoshmëri. Nëse kundërshtari bën presion, me portierin fiton një njeri në fushë. Ne filluam me Spaletin dhe tani e njohim njëritjetrin përmendësh. Por unë mendoj se e ardhmja po shkon në atë drejtim. E kemi parë në Sasuolon e De Zerbit me Konsilin dhe më intensivisht në Marsejën e Sampaolit.
Ju si trajner, do ta aktivizonit kështu portierin tuaj?
Besoj se po, sepse pas dytri vitesh e shoh veten si trajner. Por varet gjithmonë nga lojtarët që ke…
Sa e rëndësishme është të keni Shkriniarin para jush vitin e ardhshëm?
Shumë e rëndësishme, për mua është thelbësore që ai të qëndrojë me ne. Nuk mund të humbasim më pjesë, por çdo ditë është i qetë në stërvitje.
Çfarë sillni në fushë nga loja juaj e dashur e shahut?
Unë luaj “shah blic”, 3 minuta gjithsej. Të ndihmon të mendosh dhe të veprosh shpejt dhe këtu i kthehem përsëri lojës me këmbë. Pastaj shahu tradicional, që e luaja me Hernandesin ndihmon përqendrimin. Në futboll mbroj, por në shah jam agresiv. Modeli është Mikail Tal, një i madh.
Është tejkaluar pak në festimet e Milanit mbi autobusin e hapur?
Secili ka stilin e tij dhe bën atë që mendon se është e drejtë. As festën nuk e pashë, isha kthyer në shtëpi në atë kohë.
Një person i rëndësishëm, vetëm një, për ju në Apiano?
Luka, një punëtor magazine. Na pret gjithmonë me një kafe dhe në ditët e trishtuara me një buzëqeshje ose një rrahje shpatullash pas shpine. I besoj atij, më pëlqen që është me ne.
Cilat kritika ju kanë bezdisur dhe pëlqyer më shumë vitet e fundit?
Më shqetësojnë vlerësimet paragjykuese, të cilat nuk i analizojnë situatat e lojës. Nëse ndërton një mendim me argumente pas tij, atëherë po, më pëlqen kritika dhe është një kritikë që ndihmon.
Cili i njihni më mirë verërat, ju apo Barela?
Barela di më shumë edhe se somelierët, por edhe mua më pëlqen të merrem me përbërjen.
Me cilën verë do ta krahasonit veten?
Merlot, dhe e dini pse? Sepse ka karakter, ka elegancë dhe bëhet edhe më e mirë duke u vjetruar.
NISLI GJINI-Arena e Lajmit

Loading…