Për beratasin Erald Hyseni kalimi në Superiore tek Egnatia nuk do të thotë debutim në elitën e futbollit tonë. Talenti beratas ende pa i mbushur të 18-at ka debutuar në ligën më të fortë në vend me ekipin e Luftëtarit.
Pas rënies të gjirokastritëve në të Parën, ai u rikthye në Berat e më pas luajti për Besën. Këtë sezon mesfushori do të veshë fanellën e Egnatias dhe u aktivizua si titullar në miqësoren e parë të rrogozhinasve ndaj Strugës.
I pyetur nga “Panorama Sport” mbi ditët strugane, ai “ankohet” se po djersin fort për të arritur në gjendjen optimale fizike dhe jo vetëm atë.
“Faza përgatitore është për çdo futbollist, të themi, akumulimi i energjive dhe marrja e treguesve fizikë, që na vlen gjatë gjithë sezonit. Po djersijmë fort dy herë në ditë dhe po mundohemi t’i shfrytëzojmë në maksimum këto ditë në Strugë.
Krahas ngarkesave, duke qenë një ekip i formuar thuajse nga e para, po njihemi më mirë me njëri-tjetrin, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj për të funksionuar vërtet si një familje. E them me kënaqësi se të gjithë janë djem të mirë dhe profesionistë.
Secili e ka të qartë se me aq kontigjent sa Egnatia ka, do të jetë shumë e vështirë të fitosh formacionin dhe për këtë duhet të bindësh stafin jo një seancë, por çdo ditë”, shprehet fillimisht 22-vjeçari. Më tej Hyseni flet për ambiciet e tij personale, teksa rikthimin në Superiore e quan rikthim aty ku e nisi.
“Superiorja për mua nuk është e panjohur. Kam pasur fatin të luaja me futbollistë klasi te Luftëtari, një ekip që luante futboll ndoshta më bukur se të gjithë.
Aty kam mësuar shumë nga klasi i lartë i disa titullarëve.
Kështu që, mezi pres të debutoj në takime zyrtare me Egnatian e të jap më të mirën time. Me sa kam parë në këto ditë, kemi një grup mjaft cilësor dhe ajo që mbetet të bëhet është vetëm harmonizimi i lojës dhe njohja e njëri-tjetrit.
Kohë ka plot dhe miqësoret e shumta besoj se do të na japin atë shkrirje të grupit që kërkohet”, përfundoi i riu.
Hyseni nuk do të jetë ishi i vetëm i Besës tek Egnatia, pasi aty ka gjetur mesfushorin Bledar Lila dhe qendërmbrojtësin Alesandro Kacbufi.
Jo vetëm kaq, sepse në këtë merkato i janë shtuar edhe ishët e tjerë të Besës, sulmuesit Geri Selita dhe Flavjo Meçja. Kjo do të thotë se disa prej shokëve Hyseni ua njeh lojën në detaje, pasi për dy vite ka luajtur me ta.
– Arena e Lajmit

Loading…
Loading…