Skema kriminale për grabitjen e pronave në bregdetin e Durrësit, kush është njeriu kyç që përdorej nga ‘Rrumi’ si ndërmjetës (Dosja hetimore)

Dosje, Pronat

NË SHËNJESTËR/ Pjesa e Dytë

Por sigurisht Rrumi nuk vepronte i vetëm në këtë sipërmarrje kriminale.

Nga hetimet e SPAK, rezultoi se ai kishte pas vetes një strukturë të mirëorganizuar, burimesh njerëzore, të cilët kryenin apo vinin në zbatim urdhrat e tij.

Për këtë arsye, SPAK urdhëroi me një vendim të datës 6 nëntor 2021, kontrollin e banesës së disa shtetasve të cilët figuronin në agjendën e punëve të pista të ‘Rrumit’.

Persona, midis të cilëve, siç do të shikoni edhe më poshtë, disa, kishin qenë pjesëmarrës edhe në vepra të tjera kriminale, gjithmonë në shërbim të aktivitetit kriminal të Aleksandër Lahos.

Ndërkohë që në këtë listë nuk mungonin burokratët e korruptuar, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të cilët, siç shikohet edhe në dosjen e përgatitur nga SPAK, kishin shpërdoruar detyrën, duke arritur deri te falsifikimi i dokumenteve kadastrale, kryer në bashkëpunim, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Dosja Hetimore

Sipas grupit hetues, aftësia e këtij grupi të strukturuar kriminal për të hyrë thellë në kartelat e pasurive të ndryshme të paluajtshme, u kishte mundësuar atyre, tjetërsimin e shumë prej këtyre trojeve.

Por kush ishte ky grup që i kishte shërbyer me devotshmëri, ‘Rrumit’, në interesat e tij, për të tjetërsuar dhe përvetësuar në mënyrë të paligjshme, tokat në bregdet.

Sipas grupit hetues, disa nga njerëzit që ishin përfshirë në falsifikimin, regjistrimin apo që kishin kryer transaksione me këto pasuri të paluajtshme, ishin edhe zyrtarë të hipotekës Durrës.

Hipotekë, që kishte qenë gjithmonë e përfolur për lidhje me krimin, por që kjo dosje nxori edhe më zbuluar lidhjet me bandat.

Dosja hetimore

Por si funksiononte kjo skemë kriminale, pasi dokumentet kadastrale, falsifikoheshin brenda Hipotekës.

Për të mësuar se si kjo skemë funksiononte na vjen edhe njëherë në ndihmë dosja hetimore, e cila zbardh jo vetëm linjën që ndiqej jashtë Kadastrës, por edhe emrat e grupit të Rrumit që shërbenin për të finalizuar këtë skemë, ku duket se njeriu kyç që përdorej nga ‘Rrumi’ si ndërmjetës në këto punë, del të jetë Agron Bejdolli, njeriu i ngushtë i Rrumit.

Personazhi që del edhe në atentatin e 1 nëntorit 2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku makina e tij, ishte ajo që ndiqte nga pas makinën ku udhëtonin prokurori Arian Ndoji dhe miku i tij Rrumi.

Por këto, siç do të vihet re edhe më tej, këto nuk janë rastet e vetme, kur Rrumi ka përdorur Agron Bejdollin si njeriun e tij të besuar, për të regjistruar pronat të cilat më parë i kishte tjetërsuar nëpërmjet falsifikimit.

Do të ishte kjo dosje dhe hetimet e SPAK, që provuan dhe çuan edhe në akuzën ndaj Aleksandër Lahos, apo ‘Rrumit’, i cili tashmë akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë që për grupin hetues nuk kishte dyshime se ishin përballë një grupi të mirëstruktuar kriminal që kishte mundur nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të përfitonte prona.

Dosja Hetimore

Kjo skemë kriminale i ka fillimet që nga ndërhyrjet falsifikuese në Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi, në ndërhyrjet falsifikuese në Regjistrin e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, falsifikimin e komunikimeve shkresore mes Qarkut dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme etj.

Sipas SPAK, të përfshirë në këtë skemë, nuk janë vetëm eksponentë të krimit, por edhe zyrtarë të shumtë vendor të Kadastrës Durrës.

Dosja Hetimore

Pas këtyre veprimeve kriminale qëndrojnë të njëjtët subjekte. Të dhënat e përftuara si dhe kryerja e transaksioneve të pasurive të paluajtshme pothuajse në të njëjtën periudhë apo edhe tek i njëjti noter krijojnë dyshimin se kemi të bëjmë me një grup të mirë strukturuar kriminal’.

Sipas një investigimi të mëparshëm të BIRN, përmes dokumenteve hetimore nga dy procedime penale tregojnë se sekuestrimi i telefonit të Muharremit i mundësoi Prokurorisë së Posaçme hapjen e “kutisë së Pandorës” për njërin prej episodeve më të mëdha të tjetërsimit të pronave publike në bregdetin e Adriatikut. Përveç tokës me sipërfaqe prej 45 mijë metrash katrorë, Muharremi dyshohet se qëndron edhe pas tjetërsimit të 14 parcelave të tjera në zonën e Gjirit të Lalzit, përmes një skeme masive falsifikimi dhe korruptimi të zyrtarëve publikë.

Por këto janë vetëm disa nga episodet e tjetërsimit të pronave në bregdet.

Sipërfaqe të mëdha toke në Lalz e Hamallaj e fshatrat përreth janë përfituar në mënyrë të paligjshme.

Një auditim i kryer në Kadastrën e Durrësit, nxori në dritë një prej skandaleve më të mëdha ndër vite.

Qindra faqe të regjistrave të regjistrimit të pronave u konstatuan të dëmtuara, të grisura apo të zëvendësuara, çka dëshmon për një masakër me pronat në Durrës.

Në prill të 2022 kreu i përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame foli për skandalin e shkatërrimit të regjistrave.

Artan Lame

Emisioni “Në shënjestër” ka siguruar raportin e plotë të auditit dhe rezulton se nga 1063 regjistra, vetëm 152 rezultuan pa dëmtime.

Një nga regjistrat më të dëmtuar rezulton ai i pronave në Gjirin e Lalzit, ku për pronat në këtë zonë, për fat të keq janë shënuar edhe vrasje mafioze.

Referuar dokumentit, rezulton se 730 faqe nga këto regjistra mungonin tërësisht.

Ndërsa rreth 250 janë zëvendësuar. Për këtë skandal pati reagim të ashpër edhe nga ambasada amerikane në Tiranë.

Ambasada Amerikane

Për këtë çështje, prokuroria e Durrësit çeli hetimet, por deri më tani nuk ka përgjigje për përgjegjësit.

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×