Brahim Diaz ka dhënë së fundmi një intervistë për të përditshmen spanjolle “AS”. Numri 10 kuqezi nuk i druhet konkurrencës që mund t’i vijë nga merkatoja, teksa mezi pret nisjen e sezonit për të treguar se e meriton fanellën prestigjioze të titullarit te kampionët e Italisë.
Si kanë qenë këto dy sezone te Milani?
Shumë të bukura. Në vitin e parë u rikthyem në Champions, ndërsa në të dytin fituam titullin. E të mendosh që askush nuk besonte te ne. U treguam të gjithëve se vërtet jemi të rinj, por së bashku me tifozët krijuam një frymë besimi që na çoi drejt suksesit.
Çfarë Milani duhet të presim sivjet?
Një ekip më të ndërgjegjësuar për forcën e tij, që ëndërron titullin e njëzetë e që do të mundohet ta ndjekë që në ndeshjen e parë. Dua ta jap edhe unë kontributin tim pasi te Milani ndihem mirë si personalisht ashtu edhe në aspektin profesional. Dua të jap më të mirën dhe mezi pres të ndiej trysninë e cila më shtyn të përmirësohem.
Mendoni se mund të shkoni larg edhe në Europë?
Patjetër që mund të bëjmë më tepër. Vjet u penalizuam nga disa faktorë, por si kampionë Italie do të jemi në vazon e parë e duhet të besojmë se mund të shkojmë larg.
Vjet e nisët mirë, por pas COVID-it diçka ndryshoi te ju, apo jo?
Ndihesha mirë fizikisht dhe mendërisht duke arritur të tregoja se çfarë lojtari mund të jem. COVID-i më la jashtë fushave për një muaj dhe më shkaktoi disa probleme fizike. Nuk ishte e lehtë të rikuperoja, por me kalimin e ndeshjeve mora minutat që meritoja.
Cili ka qenë momenti më i lumtur i sezonit të kaluar?
Pa dyshim dita e titullit. Nëse më duhet të veçoj një ndeshje, atëherë zgjedh derbin pasi ajo përmbysje na riktheu në garë. Mbaj mend që kam qenë i lumtur edhe në xhiron me autobus pas suksesit. Një përvojë e pabesueshme që më bëri të kuptoja edhe më mirë çfarë vlere ka Milani për tifozët e tij.
Çfarë raporti keni me Piolin?
Besimi i tij nuk më ka munguar kurrë. Ai e di se çfarë mund t’i jap dhe pa dyshim më ka ndihmuar në rritjen time. Është një trajner i aftë dhe një njeri pozitiv. I jam mirënjohës.
Keni fituar kampionatin në Spanjë, Angli dhe Itali. Jeni ai që ia keni dalë më herët se kushdo. Si ndiheni?
Nuk mendoja se një ditë do të kisha realizuar diçka të tillë. Për këtë meritojnë falënderime të gjithë shokët dhe trajnerët me të cilët kam punuar. Uroj të arrij rekorde të tjera.
Ançeloti festoi për titullin e Milanit. Po ju për të Realit?
Pa dyshim që po, kam shumë miq atje. Te Reali kam njohur edhe një mik si Teo. Është djalë i shkëlqyer përveçse një futbollist fantastik. Me fizikun dhe inteligjencën taktike që ka mund të bëhet më i miri në rolin e tij.
Ibra mund t’ju mësojë diçka në këtë aspekt, apo jo?
Për ne ai është thelbësor brenda dhe jashtë fushe. Vazhdon të na japë këshilla dhe është e pamundur të mos përmirësohemi duke parë atë që Ibra bën çdo ditë. Në dhomat e zhveshjes i kemi parë sakrificat që bëri me gjurin e tij. Ka gjëra që mund t’i kuptoni vetëm kur i jetoni.
Arena e Lajmit

Loading…