EKSKLUZIVE/ “Gati për gjithçka, tentojmë kualifikimin”, Shehi paralajmëron: Do ketë dy ndryshime ndaj Zrinjskit

Orges Shehi është i bindur që Tirana do të provojë përmbysjen. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i bardhebluve foli për ndeshjen e dytë me Zrinjskin. Shehi tha se nga skuadra pret gjithçka.

SHEHI

Orges Shehi është trajneri më jetëgjatë i epokës “Halili”, por jo vetëm kaq. Trajneri i bardhebluve që ka marrë skuadrën prej 27 janarit 2021, ka 545 ditë në krye të kampionëve të Shqipërisë, duke thyer rekordin e Gugash Maganit. Shehi e drejton Tiranën prej 63 takimesh. Ai ka 36 fitore, 12 barazime dhe 15 humbje. Golavarazhi është 110-56. Shehi e ka marrë drejtimin e ekipit në fund të janarit 2021 dhe deri tani ka qenë një nga trajnerët më të suksesshëm të bardhebluve, dhe jo vetëm në Superiore, duke risjellë titullin kampion. Tirana do të luajë të enjten në Bosnjë kundër Zrinjskit në ndeshjen e dytë të turit të dytë në Konferencë Ligë. Bardheblutë pritet që të provojnë gjithçka për gjithçka në sfidën e Bosnjës që luhet në orën 21:00 në Mostar.

Si e sheh Orges Shehi sfidën e dytë me Zrinjskin që luhet ditën e enjte në Bosnjë?
Sfida numër dy është vendimtarja. Edhe pse kemi humbur ndeshjen e parë me penallti, ne si Tiranë shkojmë atje të bindur për të luajtur shanset tona në këtë takim, le ta quajmë “final”.

Ju keni pasur kohë ta analizoni ekipin boshnjak. Çfarë kundërshtari është Zrinjski?
Zrinjski është kampionia e Bosnjë-Hercegovinës. Është një skuadër e mirë fizikisht. Me djem të rinj në grup, të cilët kanë shumë dëshirë për të luajtur dhe fituar. Po kështu kanë edhe talent.

Ishte rezultat i drejtë ai që mori Tirana në ndeshjen e parë në “Air Albania”?
Ndeshja e parë prodhoi një rezultat që na frenoi që në minutën e 12-të. Skuadra kundërshtare kaloi në avantazh me penallti, që erdhi pas një rivënieje “auti”. Pastaj kush shënon, është i qetë dhe më i lirshëm në manovër, në futboll ndikon shumë ana psikologjike. Prandaj më vjen keq se këto ndeshje nuk kemi arritur një herë të jemi të parët në avantazh ose të mos i japim asnjë shans ekipit kundërshtar.

Mund të ketë një përmbysje në 90 minutat e dyta që luhen ditën e enjte në Bosnjë?
Ne do të shkojmë për të bërë atë që mund të sjellë kualifikimin. E dimë që janë 90 minuta ose më shumë, që mund të jenë ose jo të fundit në ndeshjet europiane. Ne shkojmë të luajmë gjithçka për gjithçka, por jo pa detyra.

Do të ketë ndryshime në formacion në këtë sfidë të dytë?
Po, do të ketë dy ndryshime. Gjithsesi, ia lëmë kohës. Do t’i zbuloni kur të nisë ndeshja.

Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×