Alesandro Bastoni ka treguar se edhe pse në moshën 23- vjeçare është një nga liderët jo vetëm të mbrojtjes zikaltër, por të të gjithë Interit.

Në një nga momentet më delikate për repartin që është vënë në pikëpyetje nga lëvizjet e merkatos, ka menduar italiani për të qetësuar tifozët, në intervistën e lëshuar për “La Gazzetta dello Sport”, ku jo vetëm ka pohuar se ky Inter është më i fortë se i vitit të shkuar, por ka bërë apel për qëndrimin e Shkriniarit duke kërcënuar edhe rivalët.
Bastoni, në çfarë faze është përgatitja?
Ne e kemi nisur vetëm 10 ditë më parë grumbullimin dhe nuk mund të jemi në kushtet optimale. Në këtë periudhë na lejohen gabimet dhe ajo humbje ndaj Lensit nuk duhet të na shqetësojë. E dimë se së shpejti do të arrijmë nivelin tonë maksimal të gjithë si skuadër.
Mendoni se këtë vit do të bëni një hap më tej edhe në nivel ndërkombëtar?
Sigurisht, por është hap që do të vijë nga puna jonë e të gjithë këtyre viteve. Tani është kthyer edhe Romelu dhe do të na japë një dorë të mirë dhe në Europë. Një gjë është e sigurt, që ne do të synojmë maksimumin në çdo kompeticion.
Duam një përgjigje si tifoz, ç’shije ju la festa e Milanit?
E pranoj që ishin imazhe të vështira për t’u kapërdirë, por është normale. Të mos fitosh të lë shije të keqe, imagjino nëse ata që fitojnë pastaj janë rivalët e qytetit tënd. Shpresojmë të jemi ne ata që do të festojmë në qytet herën tjetër.
Për një kohë të gjatë u fol për ju dhe interesin e klubeve të tjera në merkato, por Interi ju blindoi. Çfarë do të thoshte ky vendim për ju?
Do të thotë shumë për mua. Nuk kam pasur asnjëherë dyshimin më të vogël për të qëndruar tek Interi. Këtu kam çdo gjë që më nevojitet për t’u ndier mirë dhe për të dhënë maksimumin nga vetja. Me shokët e skuadrës kaloj shumë mirë, me klubin po ashtu dhe Milanon e dua. Nuk kam asnjë motiv për t’u larguar, jam i lumtur që jam këtu ku e shoh veten për shumë vite me këtë fanellë dhe ndërkohë shpresoj të fitoj ende shumë.
Si e keni parë Lukakun tani që është kthyer?
Është i njëjti person dhe i njëjti sulmues i madh. E kemi pritur shumë mirë, nuk ka asnjë mëri ose pendesë mes nesh, mjafton që të na bëjë të fitojmë si 2 vite më parë…
Si mendoni se do të përshtatet Rom me lojën e Inzagit?
Ne e njohim Romelun, e dimë se çfarë cilësish të pabesueshme ka ai pavarësisht nga trajneri. Ka një fizik që bën diferencën, por loja jonë do të vazhdojë të jetë imponuese, ofensive, e guximshme. Ne shpresojmë që Rom të shënojë shumë gola, por për ta ndihmuar atë do të ketë sulmues të tjerë të mëdhenj si Lautaro, Korrea dhe Xheko.
Sa rëndësi ka për të ardhmen e Interit të ruajë një bërthamë lojtarësh italianë?
Mbajtja e shtyllës kurrizore është thelbësore, në përgjithësi, dhe nuk po u referohem vetëm italianëve. Kemi lojtarë si Handanoviç dhe Shkriniar, të cilët edhe pse nuk janë italianë, mishërojnë shpirtin e Interit e gjithashtu edhe ata janë vendimtarë për të ruajtur të ardhmen.
A e keni lexuar intervistën e Handanoviçit që mendon se Shkriniar s’duhet të shitet kurrë?
Milani është integruar në mënyrë perfekte gjatë viteve dhe ne po ashtu jemi shumë të lumtur për punën që bëjmë bashkë në repart. Plus, ai është shoku im më i mirë në grup dhe do të ishte mëkat nëse do të na linte në këtë moment. Shpresoj të qëndrojë, kemi ende rrugë së bashku.
Konkurrenca në Serinë A është rritur, cili është rivali më i fortë?
Juvja është forcuar shumë, e shoh si kundërshtarin më të rrezikshëm. Ka marrë Di Marian, Pogbanë e Bremerin dhe parashikoj një betejë.
Atëherë ka të drejtë Bonuçi kur thotë se Juvja u kthye?
Kjo është e vërtetë, por është gjithashtu e vërtetë që Interi nuk është larguar kurrë… Ne i dimë cilësitë dhe forcën tonë, fituam titullin dy vite më parë dhe mund ta bëjmë përsëri.
A është Interi i sivjetshëm më i fortë se i vitit të shkuar?
Në kemi tashmë disa vite që luajmë së bashku dhe kemi perfeksionuar mekanizmat ashtu siç kemi përmirësuar forcën e grupit. Për këtë mendoj se po, skuadra jonë është më e fortë se vitin e kaluar dhe mund të synojë paraqitjet dinjitoze në çdo kompeticion.
Cilat janë pikat kyçe për të cilat duhet të kujdeset ekipi?
Në një sezon si ky, kaq të ngjeshur, do të ketë një rëndësi të madhe aspekti fizik dhe menaxhimi i forcave. Do të jetë e rëndësishme që të gjithë të jenë në formë maksimale dhe të japin aq sa munden, sepse ka shumë ndeshje dhe pastaj vjen edhe Botërori, që mendoj se do të jetë një ndodhi e paparashikueshme për efektet që mund të japë.
Meqë u përmend Botërori, do të studioni ndonjë mbrojtës në veçanti?
Si fillim dihet që ta shikoj Botërorin nga shtëpia është e dhimbshme. Por më shumë se mbrojtësit, do të fokusohem te sulmuesit. Më pëlqen Argjentina dhe, pa Italinë, do të jem tifoz i Korreas e Lautaros.
Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit
and then