Ka qenë kapiten i Partizanit dhe i Tiranës, luan në Rumani dhe njeh mirë rivalët e Vllaznisë. Kush më mirë sesa Idi Batha mund të bëjë një analizë të saktë për problemet që kanë hasur skuadrat e kryeqytetit në Europë dhe për shanset që kanë shkodranët që të kualifikohen në fushën e Universitatea Kraiovës.

Mesfushori i UTA Arad thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport” se më tepër ka mbetur i zhgënjyer nga Tirana për disfatën në Champions sesa nga eliminimi i Partizanit në Ligën e Konferencës. Batha është në një ekip me Erjon Hoxhallarin dhe nuk e kursen batutën për një tjetër ish-kapiten bardheblu: “Është rastësi që jemi sërish të dy në një ekip. Shqiptarëve u ndodh shpesh të bashkohen edhe kur ikin nga vendi i tyre…”
Idi, si shkojnë punët tek UTA Arad?
Mirë, këtu është shumë qetësi me thënë drejtën. Nuk është si në Tiranë… Aty edhe ju gazetarët nuk të lini të biesh në qetësi… (qesh).
Ju mungon pak “stresi” i Tiranës?
Të them të drejtën pak po.
Çfarë përshtypje ju la Partizani dhe Tirana në Europë, sepse keni qenë kapiten i të dyja skuadrave?
Nga Tirana jam pak më tepër i zhgënjyer.
Pse?
Sepse prisja më shumë, duke qenë se janë dhe kampionët në fuqi. Gjithsesi, për të qenë i sinqertë nuk u habita për rezultatet e asnjërës prej këtyre dy ekipeve. I ndoqa ndeshjet.
Çfarë i mungoi Tiranës?
Te Tirana nuk pashë atë që i karakterizon më shumë, grintën. E dorëzonin topin shumë shpejt. Ndoshta lojtarëve u mungon eksperienca, por në ndeshje të tilla duhet pak më shumë vendosmëri dhe pak më tepër qetësi.
Po te Partizani çfarë nuk shkoi?
Partizani luajti si i barabartë. Ishte fati që u eliminua Partizani.
A quhet vetëm fat kur ndeshjen e parë në transfertë e kishin fituar 0-1…?
Futbolli ky është… Plus që tani nuk ka më vlerë të dyfishtë as goli në transfertë. Duhet të jemi korrekt se skuadrat shqiptare nuk e kanë të lehtë me askënd.
Siç bëhet progres në Shqipëri, ashtu edhe në vendet e tjera luajnë futboll dhe përpiqen të bëjnë më të mirën. Mendoj se edhe Partizani e vuajti mungesën e eksperiencës. Luajti me shumë djem të rinj, sepse me pak kujdes Partizani e kishte më të lehtë se Tirana.
Po Universitatea Kraiova, kundërshtarja e Vllaznisë, çfarë ekipi është?
Kraiova është shumë ekip i mirë. Në Rumani hyn te klubet e elitës. Bën pjesë te katër skuadrat më të mira. Universitatea Kraiova është ekip me pagesa të mira, ka çdo gjë në rregull. Ka infrastrukturën, të ardhurat, tifozët, të gjitha. Janë vërtetë të fortë.
Çfarë duhet të bëjë Vllaznia që të mund t’ia dalë, pasi barazoi në ndeshjen e parë dhe sa shanse kanë të kualifikohen?
Për mendimin tim, Vllaznia duhet të luajë vetëm për barazim. Duhet të bëjë fiks atë që bëri në Shkodër… Në “Loro Boriçi” u mundua shumë të mbrohej dhe me kundërsulm u përpoq ta godiste Kraiovën. Pikërisht atë duhet të bëjë edhe këtu në Rumani, sepse në momentin që mund të tentojë të luajë hapur kundër tyre, unë mendoj se e ka shumë të vështirë për të arritur rezultatin.
Pse e ka të vështirë?
Sepse në fushën e tyre ndihen më të fortë dhe për shkak edhe të mbështetjes së tifozëve, ata janë shumë agresivë, në kuptimin që të bëjnë presion, sidomos në minutat e para.
Hoxhallari dhe Batha, dy ish-kapitenë të Tiranës, në të njëjtin ekip në Rumani. Është rastësi apo…?
Po, rastësi është. Futbolli ka treguar se sidomos lojtarët shqiptarë, bashkohen gjithandej nëpër Europë, dhe nuk ka asgjë të keqe. Ishte thjesht rastësi që u bashkuam në të njëjtën skuadër edhe në Rumani.
JETMIR HALILAJ – Arena e Lajmit
and then