Federata Shqiptare e Futbollit do të përballet me FIFA-n në KAS për gjobën e ndeshjes Shqipëri-Poloni të luajtur vitin e shkuar. Lajmi është konfirmuar nga vetë KAS Lozanë, që ka publikuar kalendarin e gjyqeve.
Më 20 shtator 2022 është planifikuar seanca gjyqësore mes FSHF-së dhe FIFA-s.
Sipas asaj që është zbuluar nga “Panorama Sport”, FSHF ka çuar në KAS vendimin e Komisionit të Disiplinës së FIFA-s që konsideronte fajtore Shqipërinë për ngjarjet që ndodhën në sfidën Shqipëri-Poloni 0-1, e luajtur më 12 tetor të vitit të kaluar në “Air Albania”.
Mësohet se federata jonë ka pretenduar se ishin tifozët miq që shkaktuan trazirat në ndeshjen në fjalë dhe gjoba e vendosur, përveç një takimi pa tifozë, sipas tyre është e padrejtë.
“Ngjarjet e Shqipëri-Poloni janë pasojë e një provokimi të vazhdueshëm dhe një sjelljeje shumë agresive nga ana e tifozëve polakë që kanë goditur për gati 2 orë tifozët tanë në dy tribuna.
Tifozët polakë njihen për të tilla sjellje dhe prej ditësh të gjitha autoritetet e përfshira në ndeshje kanë bërë maksimumin për të parandaluar ngjarje më të rënda”, deklaronte publikisht FSHF-ja.
NGJARJA – Në minutën e 79-të ndeshja u ndërpre për pak minuta për shkak të hedhjes së disa shisheve nga ana e tifozëve, pas golit të shënuar nga lojtari polak Sviderski.
Në fakt, ishin tifozët polakë ata që nisën goditjen me sende të forta dhe më pas pati edhe reagime nga tifozët kuqezinj me shishe e sende të tjera.
NDËSHKIMI – Vendimi i marrë nga Komiteti Disiplinor i FIFA-s në lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen Shqipëri-Poloni, e luajtur më datë 12 tetor 2021 në “Air Albania Stadium”, ishte shumë i rëndë.
Vendimi ndëshkoi Federatën e Futbollit me një gjobë prej 150 mijë frangash dhe detyroi që të luante ndeshjen e fundit eliminatore për Kampionatin Botëror “Katar 2022” pa praninë e tifozëve.
Asokohe, FSHF reagoi me një deklaratë publike.
“FSHF shpreh keqardhjen për këtë vendim të marrë dhe do të ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme që situata të tilla, të shkaktuara nga disa individë, mos të ndodhin më në të ardhmen dhe të mos dëmtojnë Kombëtaren tonë në paraqitjen e tyre ndërkombëtare.
Federata do të vlerësojë mundësitë për ankimimin e vendimit brenda afateve të parashikuara”, shkruante Federata Shqiptare e Futbollit.
Një gjë e tillë tashmë është kryer dhe FSHF ka çuar në KAS vendimin e FIFA-s.
Arena e Lajmit
