Festa e yjeve të Bajernit në Ibiza vazhdon të shkaktojë polemika në Gjermani. Dhe tashmë mësohet se edhe trajneri Julian Nagelsman ka qenë pak entuziast dhe i surprizuar për argëtimin e çuditshëm të lojtarëve të tij.
Pas turpërimit me Maincin 3-1 të shtunën, lojtarët bavarezë menduan të relaksohen me një udhëtim në Ibiza dhe data e rikthimit ishte e hëna, për t’u paraqitur në “Säbener Straße” një ditë më vonë.
POLEMIKAT – Dhe deri në ditën e ndeshjes kundër Shtutgartit, tema që do të dominojë në shtëpinë e bavarezëve do të jetë pikërisht pushimi i shkurtër në Spanjë. Hasan Salihamixhiç u mundua t’i qetësonte gjërat menjëherë pas kësaj historie, por as drejtori sportiv nuk mundi ta shmangë dallgën e kritikave.
“Javën e shkuar lojtarët na informuan se atyre do t’u pëlqente të kalonin dy ditët e pushimit nga stërvitja me grupin në Ibiza dhe ne e pranuam këtë si një masë për ndërtimin e skuadrës”, shpjegoi Brazo. Por pakkush e besoi se Salihamixhiç ishte i sinqertë në këtë fjali të fundit, ndërkohë që shumë prej senatorëve të skuadrës, përfshirë kapitenin Manuel Nojer dhe Tomas Mylerin, preferuan të qëndronin në shtëpi. Robert Levandovski shkaktoi konfuzion me postimin e fotove me familjen nga Legoland në vend të festës nga Ibiza.
Tani revista “Kicker” zbulon se trajneri Julian Nagelsman dhe stafi i tij kanë qenë të surprizuar nga veprimi i lojtarëve dhe aspak entuziastë si u përpoq ta përcillte Salihamixhiç. Sipas revistës sportive, Nagelsman dhe asistentët e tij u informuan për këtë pushim në Ibiza nga menaxherja e skuadrës, Ketlin Kryger, vetëm ditën e enjte, dy ditë përpara ndeshjes me Maincin. Stafi teknik kishte pritur një reagim më të përgjegjshëm të lojtarëve pas humbjes me Maincin.
Madje, Nagelsman dhe stafi i tij u ankuan që nuk ishin në dijeni që një udhëtim i tillë do të ndodhte gjatë sezonit. Por për t’i vënë përfundimisht kapakun kësaj historie do të shërbejë ndeshja kundër Shtutgartit të dielën, ku kampionët do të përshëndeten me tifozët dhe festojnë në shtëpi edhe titullin e 10-të radhazi.
Arena e Lajmit
