Jemi mësuar tashmë që skuadrat shqiptare të ndryshojnë një pjesë të madhe të ekipit në merkaton e verës. Megjithëse jo në masën e verës së kaluar, sepse tashmë është krijuar një lloj boshti i ekipit, Partizani ka pësuar shumë ndryshime. Skuadra është përballur me plot 11 largime, mes tyre edhe një pjesë e titullarëve të sezonit të shkuar.
Më poshtë do të bëjmë një përballje shifrash dhe analizë në letër të atij që Partizani ishte dhe skuadrës që është tani. Shifrat, që nuk lënë shumë hapësirë për kontestime, tregojnë se Partizani ka ndryshuar në emra, por jo shumë në cilësi. Sigurisht, në fund gjithçka e tregon fusha.
VLERAT E MERKATOS – Skuadra e parë e Partizanit, pra ajo që është shfaqur në formacionin e zgjeruar më lart, kushton gjithsej 4.85 milionë euro, sipas portalit “Transfermarkt”.
Reparti më i vlefshëm është difensiva. Mbrojtësit, bashkë me portierët, kushtojnë 2.125 milionë euro. Më pas vjen mesfusha, ku luajnë xhevahirë të skuadrës si Rrapaj dhe Matondo, me 1.625 milionë dhe sulmi është i fundit, 1.1 milionë, megjithëse në këtë repart luan lojtari më i shtrenjtë i skuadrës, Xhuliano Skuka.
Nëse bëjmë një krahasim të vlerave të lojtarëve që kanë ikur dhe atyre të ardhur, mund të themi se vlera e skuadrës së Partizanit është ulur me 425 mijë euro, teksa duhet të theksojmë se largimet janë 11 kundrejt 8 afrimeve. Lojtari më i shtrenjtë që ka lënë të kuqtë është Albion Marku, 400 mijë euro.
Nga ana tjetër, lojtari më i shtrenjtë që Partizani ka mundur të afrojë është David Atanaskoski, i cili sipas “Transfermarkt” kushton 350 mijë euro.
GOLAT – Partizani vitin e shkuar kishte një nga pikat më të dobëta finalizimin e rasteve, megjithëse skuadra arrinte të shkonte shpesh në zonën e kundërshtarit. Kemi parë raste flagrante të humbura nga sulmuesit e kuq, më së shumti me protagonistë Carën dhe Zhuniorin.
Duke u nisur nga ky problem, logjikisht të lind ideja se a do të punojnë drejtuesit për të gjetur goleadorë race, në mënyrë që skuadra të jetë më e ftohtë përballë portës dhe të shfrytëzojë rastet, që krijon.
Fatkeqësisht, deri më tani shifrat thonë se Partizani nuk ka marrë lojtarë më të aftë për të shënuar, në krahasim me të larguarit. Detyra për të zëvendësuar 12 golat e Stenio Zhuniorit nuk është kryer ende, teksa golashënuesit më të mirë që janë afruar janë Cvetanoski dhe Dragoj (jo zyrtare) me nga 5 gola, përkatësisht në kampionatin maqedonas dhe në Kategorinë e Parë.
Nga ana tjetër, lojtarët e larguar, të gjithë së bashku shënuan 20 gola nga 52 gjithsej të Partizanit në kampionat. Të ardhurit nëpër ish-skuadrat e tyre së bashku kanë shënuar 18 gola në sezonin e fundit, dy më pak se të larguarit.
NEVOJAT E MERKATOS – Trajneri Mehmeti vazhdimisht në deklaratat e tij kërkon nga klubi dublim të të gjitha pozicioneve dhe për ta bërë këtë duhet të themi se Partizanit i duhen gjithsej 5 afrime, dy mbrojtës anësorë, një fantazist, një sulmues krahu dhe një qendërsulmues tipik, për të luftuar me Skukën për një vend në formacion.
DENIS LALA – Arena e Lajmit
