Skënder Gega ka një detyrë jo të lehtë përpara me Kukësin këtë sezon, sepse do t’i duhet të gërshetojë lojtarë me kultura të ndryshme sportive për të krijuar një ekip sa më kompakt këtë sezon. Për këtë arsye, faza përgatitore dyjavore në Turqi dhe takimet miqësore që do të zhvillojnë verilindorët, do t’i japin një ide më të qartë për ekipin që drejton. Në një intervistë për “Panorama Sport”, tekniku ndalet edhe te merkatoja, ku pohon se është ende e hapur për të tria repartet, teksa sqaron edhe mundësinë që Mala të veshë fanellën e Kukësit. Mesfushori la Partizanin në fund të sezonit, teksa ndërpreu kontratën me Giresunsporin, që zotëronte kartonin e tij.

Profesor, si po shkojnë përgatitjet?
Siç e dini, kemi disa ditë që kemi ardhur në Turqi për fazën përgatitore dhe po mundohemi të kryejmë nga dy seanca në ditë për të arritur në formën optimale për nisjen e kampionatit. Kemi programuar takime miqësore, në mënyrë që edhe të shohim konkretisht gjendjen tonë.
Keni pasur probleme?
Kemi dy lojtarë që po bëjnë stërvitje të diferencuar, siç është Shqiprim Taipi dhe Dragoshi, të cilët aktualisht po u nënshtrohen programeve individuale. Besoj që do të jenë gati për nisjen e sezonit dhe po punojnë fort që të rikuperohen. Pjesa tjetër nuk ka shfaqur probleme.
Si i prisni këto miqësore?
Jam shumë i interesuar për miqësoret, sepse e thashë që vetëm nëpërmjet ndeshjeve mund të shohim gjendjen reale të lojtarëve. Nuk është e thjeshtë për lojtarët e ardhur të ambientohen me pjesën tjetër të ekipit. Ndaj, për këto arsye do të shfrytëzojmë këto tri miqësore, të cilat edhe mund të shtohen gjatë qëndrimit tonë këtu. Nuk më intereson shumë rezultati, por paraqitja dhe mënyra se si lojtarët do të interpretojnë në fushë detyrat që do të marrin.
E keni mbyllur me merkaton?
Jo, nuk e kemi mbyllur ende. Kemi nevojë ende për përforcime të tjera, mundësisht në të tria repartet. Duhet të kemi parasysh se përpara është një kampionat i gjatë, në mes është edhe Kupa dhe duhen sa më shumë lojtarë. Jemi në bisedime, kemi pasur kontakte, shumë na janë ofruar, por po presim. Duhet të kemi parasysh se jo të gjithë që duam ne mund të afrohen dhe jo cilido lojtar që dëshiron të vijë, mund të bëhet pjesë e jona. Klubi po punon mirë deri më tani, si me marrëveshjet dhe me përzgjedhjet e lojtarëve. Unë kam punuar me lojtarë që nga Strakosha, Rrahmani, Balaj, Sadiku etj, por kjo nuk do të thotë që ne mund të marrim këdo. Nga ana tjetër, ka pasur shumë lojtarë që kanë pasur kërkesa shumë të larta për futbollin shqiptar.
Njëri nga lojtarët që kërkoni është Mala?
Dëgjoni, e kam lexuar për Malën, por nuk është se ka diçka konkrete. Normalisht Malën e njohim të gjithë, për më tepër unë që e kam pasur lojtar që në moshë shumë të re. Do të ishte një vlerë e shtuar për ne dhe për çdo klub shqiptar, ai është i mirëpritur, por nuk kemi bërë ndonjë kërkesë. Mendoj se ai që do të afrohet e gjen vetë rrugën, nuk është e vështirë. Personalisht, sa i përket Malës do të më pëlqente të luante atje ku i bëhet më mirë, të shkojë sa më lart. Nëse del një mundësi për të ardhur te Kukësi, është i mirëpritur.
Cilat janë sfidat e Kukësit aktualisht?
Ka shumë sfida në mes, por për momentin sfidë është të kemi një grup sa më kompakt, duke qenë se ka pasur shumë lëvizje. Për fat të mirë bazën e kemi nga edicioni i kaluar me lojtarë si Taipi, Basha, Ndreca, Tafas etj. Kemi lojtarët e afruar nga kampionati shqiptar, që e njohin mirë futbollin tonë, si edhe të huajt, që po mundohen të integrohen sa më shpejt me ekipin. Janë edhe të rinjtë që do t’u japim mundësinë me patjetër. Me pak fjalë, të gjithë janë në garë te Kukësi dhe këto miqësoret që do të zhvillojmë do të na ndihmojnë akoma më shumë për të krijuar idenë e skuadrës që është formuar deri më tani.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit
and then