Pa shumë zhurmë, Dinamo ka bërë disa lëvizje të rëndësishme në merkaton e verës. Janë afruar disa lojtarë me eksperiencë, që do ta ndihmojnë skuadrën kryeqytetase gjatë rrugëtimit në Kategorinë e Parë.

Ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se janë fuqizuar ndjeshëm mbrojtja dhe mesfusha, por sulmi ende jo.
MBROJTJA – Dikson Eçe Idakvo, Aurel Marku, Patrik Fetaj dhe Ilir Allmuça i shtohen prapavijës, ku kanë qëndruar edhe emra si Eni Imami, Alesio Mija apo Indrit Prodani.
Në “shënjestrën” e bluve është edhe Erlis Frashëri i Skënderbeut. Nëse vjen edhe korçari, atëherë mbrojtja mund të konsiderohet e blinduar.
MESFUSHA – Për mesfushën kanë “goditur”. Janë afruar emra si Asion Daja dhe Ersil Ymeri, që të dy lojtarë me kualitet dhe përvojë të madhe. I pari vjen nga Teuta dhe i dyti nga Erzeni.
E megjithatë, në këtë repart jo pak peshë ka edhe Sabien Lilaj, që ka vendosur të qëndrojë me kryeqytetasit.
Për krahët janë të gatshëm Hose Denison Silva dos Santos, Diogo dhe Bardhi.
Lojtarë që janë pa diskutim ndihmojnë edhe për ofensivën.
Në dispozicion të trajnerit Nevil Dede janë edhe të rinjtë Alisio Përloshi, Arb Shala, Redon Laho e ndonjë tjetër.
SULMI – Ndryshon totalisht situata në sulm ama.
Zyrtarisht në merkato është afruar vetëm Taulant Marku, një lojtar që ka bërë vërtet mirë me Korabin dhe është njohës i portave kundërshtare.
Mund të përmendim edhe Artur Rexhinaldon, megjithatë ai sipas të gjitha gjasave nuk kthehet më në Shqipëri.
Stefen Çinedu u shit në Kroaci, ndaj mund të thuhet pa frikë se blutë kanë nevojë edhe për të paktën një qendërsulmues.
Dhe një jo një lojtar dosido, por një që të garantojë golat për kthimin e ekipit në elitë. Ende nuk është bërë “goditja në shenjë” që trajneri Dede ka paralajmëruar ditë më parë.
Gazeta mëson se drejtuesit e Dinamos po shohin disa pista, por ende nuk kanë konkluduar.
Ndoshta sulmuesi mund të vijë edhe nga jashtë vendit.
Në fillim të merkatos blutë kërkuan Mensah të Skënderbeut, por ai shkoi në Izrael. E megjithatë, nuk mund të harrojmë se për vijën e parë është edhe braziliani Diogo da Silva.
Ai pritet të jetë një lojtar i rëndësishëm për Dinamon në Kategorinë e Parë. Këtë ligë ai e njeh mirë, pasi u bashkua me blutë sezonin kur ata u ngjitën në Superiore pas shumë vitesh.
Diogo kontribuoi me golat e tij në atë sukses. Në elitë nuk pati mundësi të tregonte vlerat e tij, sepse u dëmtua në gju dhe iu nënshtrua operacionit. U kthye në fund të sezonit që lamë pas dhe tani mund të konsiderohet si një blerje e re.
Diogo luan si sulmues anësor ose si sulmues i dytë.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit
and then