Milani ka regjistruar sot fitoren e radhës në ndeshje miqësore, duke mposhtur një kundërshtar mjaft cilësor si Olimpik Marseja në fushën e kësaj të fundit. Kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 2-0 në “Velodrome”, duke treguar se pak nga pak po arrijnë përsëri në formën që kishin në fundin e sezonit të kaluar të cilin e kurorëzuan me titullin kampion në Serinë A.
Francezët ishin ngulmues në minutat e para të sfidës, por më pas doli në pah loja nga krahët e Milanit, që këtë radhë sulmoi më shumë në të djathtë me Kalabria e Diaz të cilët furnizonin Mesias. Një gjuajte e shkëlqyer e këtij të fundit i dha avantazhin kuqezinjve në minutën e 12. Marseja nuk kishte kohë të reagonte sepse shumë shpejt erdhi edhe goli i dytë, këtë herë me anë të Zhiru i cili shfrytëzoi një pasim të saktë të Mesias.
Aktivizimi i Leao në pjesën e dytë bëri që sulmet në të majtën të shtoheshin. Por portugezi dhe teo Hernandez nuk gjetën koordinimin e duhur për të çuar topin në rrjetën e francezëve të cilët e mbyllën ndeshjen me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Ture, vetëm 7 minuta pasi kishte hyrë në fushën e lojës.
O. MARSEJË-MILAN 0-2
12′ Mesias, 26′ Zhiru
26′ Goli i Zhiru
12′ Goli i Mesias
FORMACIONET ZYRTARE:
MARSEJË: Blanko; Gigot, Mbemba, Balerdi; Klaus, Guendouzi, Rongier, Kolasinaç; Gerson, Pajet; Suarez. Trajner: Igor Tudor
MILAN: Menja; Kalabria, Kalulu, Tomori, Hernandez; Benaser, Tonali; Mesias, Diaz, Rebiç; Zhiru. Trajner: Stefano Pioli
Arena e Lajmit
