“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante të derbit të parë të kryeqytetit në këtë sezon, mes Partizanit dhe Dinamos i zhvilluar mbi 100 kilometra nga Tirana.

Foto: P. Pashollari
*Maratona, që u zhvillua të shtunën në qytetin e Pogradecit, ka sjellë bllokimin e disa akseve rrugore kryesore në hyrje dhe në dalje të qytetit, duke shkaktuar trafik e vonesa. Pasojat e kësaj i kanë vuajtur edhe skuadrat e Partizanit dhe Dinamos, pas miqësores së zhvilluar në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”.
Pas ndeshjes së mbyllur në barazim 1- 1, skuadrat kishin në plan të dilnin nga qyteti, për t’u vendosur në periferi në hotelet përkatëse. Por prej bllokimit të rrugëve ishte e pamundur lëvizja me autobusë.
Si rrjedhojë, lojtarët e Partizanit janë akomoduar në lokale dhe restorante duke konsumuar darkën e tyre pas ndeshjes në “fast-food”-et përreth dhe mos konsumuar dietën e zakonshme, në pritje që të zhbllokohej rruga dhe të mund të ktheheshin në hotel.
*Rreth 800 tifozë të pranishëm në tribunën qendrore të stadiumit “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit për të ndjekur derbin Partizani-Dinamo.
*Trajnerët Dritan Mehmeti dhe Nevil Dede ishin të dy me fanella të kuqe, pavarësisht se Dinamo ka karakteristike ngjyrën blu.
*Dede “tërbohet” me Allmuçën në fund të pjesës së parë, pasi ishte në krahun e djathtë dhe vonoi të kthehej në të majtë.
*Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, e ndoqi ndeshjen i shoqëruar nga dy drejtuesit e Dinamos, Ardian Bardhi dhe Kristian Gjidodaj. Të pranishëm ishin edhe drejtori sportiv i Partizanit, Elton Marini, si dhe ish-sulmuesi i viteve ‘90 te “demat”, Edmond Dosti.
Arena e Lajmit
