E majta e hidhur dhe arsimi, zbulohen 7 sekretet e belgut Sharl De Ketelere

Zbarkimi i tij në Milano duhet të kishte ndodhur të shtunën, por arsye burokratike do të ndodhë sot. Drejtuesit kuqezinj janë të bindur për cilësitë e Sharl de Keteleres, i cili gjithsesi nuk është shumë i njohur për dashamirësit e futbollit.

de ketelere

Në këtë shkrim, sidoqoftë, do të mundohemi ta zbulojmë e të kuptojmë më tepër për atë që mund t’u japë kampionëve të Italisë.

E MAJTA

Sharli është mëngjarash e si i tillë puna e “sojit” të tij dihet. Koncepti i ngjashmërisë është relativ. De Ketelere nuk është ekstrem, por duke e parë në veprim kuptohet që topin e drejton pikërisht me këmbën e preferuar. Me të njëjtën që u pason shokëve e që kërkon golin.

Kjo prirje nuk ka për të qenë kurrë problem. Milani në sezonin e kaluar ishte ndër të parët në çdo kategori statistikash përveç golave të shënuar nga goditjet standarde (i 9-ti) dhe këndoret (i 15- ti). De Ketelere te Bryzhi ekzekutonte këndoret dhe goditjet standarde. Edhe ndonjë gol me kokë e ka bërë pavarësisht se nuk shkëlqen në këtë aspekt, edhe pse është 192 centimetra i gjatë. Pioli uron që belgu t’ia përmirësojë edhe aspektet ku skuadra i çalonte.

E DJATHTA

Ndër pak gjërat që dihen për De Keteleren është fakti se ka luajtur në shumë role, madje edhe në krahun e djathtë. Problemi është te këmba e cila nuk ka cilësinë e së majtës. Në dhjetë prekje, 21-vjeçari vetëm një e bën me të djathtën. Vetëm një gol në karrierë më këmbën “e keqe” dhe daton në dhjetor të vitit të kaluar.

Shumë pak për dikë që Milani synon ta shndërrojë në kampion të afirmuar. Sidoqoftë, në videot e tij që qarkullojnë, ekzistojnë disa krosime të sakta nga korsia e djathtë. Kjo mund t’i shërbejë pasi teksa rivalët presin të bëjë magji me të majtën, belgu mund të surprizojë me këmbën tjetër. Sigurisht, do t’i duhet punë e të gjithë te Milani janë të gatshëm ta ndihmojnë që më pas De Ketelere t’ua shpërblejë.

PERSONALITET

Sharl de Ketelere ka fytyrën tipike prej djali të mirë. Nuk do të gabonim nëse do ta konsideronim të tillë pasi historia flet për të. Komentet janë të gjitha pozitive e për më tepër garanton familja. I rritur në një ambient me mirëqenie, blerja e re e Milanit është i dalluar në sport (ka praktikuar xhudo, tenis, shah), por edhe në shkollë. Futbolli ka përparësi, por pa lënë pas dore arsimin.

Ende minoren ka debutuar mes profesionistëve, kështu që ka mësuar të përballojë presionin. Gjatë bisedimeve për transferimin ka duruar shumë, por akoma më shumë do të ketë pasi të ketë kuptuar nivelin e lartë me të cilin do të ketë të bëjë çdo ditë. Së fundmi i ka munguar qetësia, por dëshira për Milanin iu plotësua e duhet të jetë i qetë.

DUHET TË RRITET

Milani zgjodhi “princin” Sharl, sepse beson që një ditë mund të bëhet mbret. Pa dyshim, belgu nuk është lojtari më i fortë që mund të blihej me 35 milionë euro, por për Maldinin dhe Masarën ky djalosh ka ende hapësira të mëdha përmirësimi. Leximi i hapësirave dhe i situatave është karakteristika më e mirë që i është vënë re gjatë tri viteve në Belgjikë.

FZGhsM_X0AI6OfL

Fakti që bën gjënë e duhur në momentin e duhur i mjaftoi Milanit për t’i besuar ambiciet e së ardhmes. Në sezonin e kaluar përmirësoi të gjitha statistikat, sidomos ato të golave duke kaluar nga 4 të 2021-shit në 14. Zbarkimi te kuqezinjtë është një pikënisje sepse duhet të njohë futbollin italian e të kuptojë se sa shumë varet nga taktika. Mësues me përvoja të ngjashme nuk do t’i mungojnë në skuadër.

FIZIKU

Lojtarët mbi 190 centimetra, në Itali, lëvizin në territore specifike. Afër portës, sigurisht. Qendra e mbrojtjes. Qendra e sulmit, në disa raste. Më së shumti mesfushë, ndoshta me funksione mbrojtëse. Një mesfushor ofensiv 1.92 m është i rrallë dhe na bën të mendojmë për Josip Iliçiçin.

De Ketelere është i gjatë, por i hollë. Në fakt, nuk është shumë i strukturuar. Me atë fizik duket i ngadaltë dhe pa dyshim që në dy hapat e parë nuk mund të jetë sprintier, por maksimumin e jep kur e shtron hapin. Sigurisht, është gjithmonë i koordinuar, gjë që e bën të këndshëm estetikisht kur ka topin nëpër këmbë. Milani mendon se mund të jetë i vlefshëm në fazën mbrojtëse. CDK ushtron trysni dhe qëndron i fokusuar në lojë. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në betejat e Serisë A.

POLIVALENCË

CDK do të jetë fantazisti i “Djallit”. E bukura e tij, megjithatë, është se ai mund të ndryshojë fushën e veprimit në aksione sipër duke u bërë anësor ofensiv. Një lojtar që, të paktën me shpresa, përmirëson shokët e tij. Pioli do t’i kërkojë fillimisht të sulmojë zonën nga pozicioni qendror dhe të sjellë golat që mesfushorët ofensivë nuk i japin.

cdknumber-min

Në një sezon të gjatë, ka të ngjarë ta shohim belgun në pozicione të ndryshme, pa përjashtuar ndryshimet. Në Itali, krahasuar me sezonin e kaluar me Bryzhin, do ta shohim shumë më pak si pykë. Milani mendon se mund të luajë si një 9 fals, jo si një pikë referimi qendrore. Tani për tani duhen përjashtuar edhe minutat si mesfushor i pastër, një rol që ka pasur në të kaluarën.

PËRVOJË

De Ketelere ka luajtur 20 ndeshje mes Champions-it dhe Ligës së Europës. Ka shënuar dy gola ndaj Zenitit. Disa paraqitje pozitive dhe kaq. Me kombëtaren e vendit të tij 56 minuta në Ligën e Kombeve (1 gol ndaj Donarumës), 65 në kualifikueset e Botërorit, pra jo shumë. Kjo është e panjohura kryesore.

Milani po merr një lojtar që është vetëm relativisht i testuar dhe, në fund të fundit, është normale kur zgjedh një 21-vjeçar. “San Siro”, në këtë sens, mund të jetë tinëzar: stadium i bukur, por nuk fal askënd. Megjithatë, pikënisja është e shkëlqyer, tifozët e Milanit i besojnë Maldinit dhe Masarës e për pasojë edhe Sharlit. Mbetet për t’u parë vetëm nëse negociatat e gjata me pritshmëri në rritje të publikut – mund ta ngarkojnë me presion.

Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×