Ronaldo Luis Nazar io de Lima, i njohur ndryshe si “Fenomeni”, e njeh mirë Italinë. Ka luajtur me Interin dhe Milanin, ndaj e njeh në mënyrë perfekte edhe Serinë A. Prandaj mjafton kaq që një ekspert si brazilian, që për më tepër tani është edhe president i dy klubeve njëkohësisht të japë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport” duke bërë një analizë të kthjellët të asaj që mund të presim nga sezoni i ardhshëm i kampionatit italian.
Ronaldo, cilat janë favoritet për titullin sipas teje?
Inter, Juventus e Milan! I reshtova skuadrat thjesht sipas rendit alfabetik, ndaj mos mendoni se bëra renditjen e tri vendeve të para të sezonit të ardhshëm. Se cila nga skuadrat do të ketë më shumë shanse se tjetra, të paktën diçka më e qartë do të kuptohet në fund të merkatos. Ah kjo merkato, po më prish totalisht pushimet…
Pse?
Sepse Vajadolidi (skuadra spanjolle në pronësi të tij) do të luajë në La Liga këtë sezon, ndërsa Kruzeiro është i pari në renditje (skuadra braziliane në pronësi) dhe synon të rikthehet në elitë. Siç e shihni, nuk kam një moment qetësie. Jam i shpërndarë në dy fronte. Dhe realisht, mendoja se e dija se sa e vështirë ishte puna e merkatos, duke u bazuar të paktën te gjërat që kam përjetuar kur isha futbollist. Por tani që po e provoj mbi shpatulla si president, mund të them se është thjesht e tmerrshme. Nuk parashikon dot asgjë, por çfarë është më e keqja, është e lehtë të gabosh. Sivjet, sidomos, do të kemi probleme të mëdha, sepse kampionatet do të nisin shpejt, por do të ndalen për gati 2 muaj, pasi në mes është Botërori.
Po Botërori, madje pa Italinë…
Më vjen keq. Jo vetëm sepse e ndjej veten pak italian, por edhe sepse kushdo që e pëlqen futbollin dëshiron që në fushë të jenë më të mirët. Edhe Italia e tillë është. Nuk dua ta mendoj se sa keq do të ndihet Mançini kur të nisë turneu në Katar. Nuk dua as ta imagjinoj!
Mund të bëni ndonjë parashikim për pjesën e dytë të sezonit?
Në janar do të jetë rrëmujë. Një Botëror në dimër dhe një kampionat që rinis pas një ndërprerjeje do të kisha dashur ta përjetoja edhe unë. Kjo, pasi lodhja do të jetë më e madhe dhe në fushë, më shumë sesa forca fizike, do të jetë teknika ajo që do të bëjë diferencën.
T’i futemi parashikimeve… Pse mund ta fitojë Interi Serinë A?
Sepse mund ta kishte fituar edhe sezonin e kaluar, madje në një pikë të sezonit e kishte në xhep. Tani arsyeja më shumë është rikthimi i Lukakut, i cili në Itali bën diferencën. Romelu dhe Lautaro janë një dyshe e përsosur, siç e kemi vënë re. Gola dhe mirëkuptim që vlejnë shumë në ecurinë e një skuadre.
A do të ketë Lukaku vështirësi për të përsëritur veten?
Deshi, pa u rikthye. Më duket një garanci për Interin. Sigurisht, i nevojitet të gjejë formën e duhur dhe një mënyrë për t’u kërkuar ndjesë tifozëve pas largimit të një viti më parë. Zikaltërve u duhet një lojtar që t’i udhëheqë, madje edhe në sensin fizik të fjalës.
Me belgun në organikë a do ta kishte fituar Inzagi titullin e sezonit të kaluar?
Nuk kam sferë magjike që ta di, por besoj se mund të qëndrojë si logjikë. Interi e humbi titullin duke u mposhtur në derbi dhe duke menaxhuar keq dy muajt kur ra në panik. Në ato javë nevojitej kurajë dhe që ndeshjet të fitohen, jo të barazohen. Duhet dikush pas të cilit të kapesh dhe një tip i bëshëm si Lukaku mund ta bëjë më të lehtë çdo gjë.
A janë mërzitur interistët që sfumoi Dibala?
Në futboll jo gjithmonë arrihet ajo që dëshirohet. Ndoshta diçka kërkohet me ngulm, por duke respektuar disa kufij që në nivel ekonomik Interi i ka. Në fakt, në Itali i kanë thuajse të gjithë. Sidoqoftë, Marota dhe Auzilio po bëjnë akrobaci në merkato.
Mund të qëndrojë Shkriniari te zikaltrit?
Nuk e di, por nëse sllovaku qëndron askush tek Interi nuk do të komentojë mosardhjen e Bremerit. Fundja, problemi i interistëve është që pse Bremer shkoi te Juventusi, jo pse nuk zbarkoi në Milano.
Për Juven çfarë mund të thoni?
E di fort mirë si funksionojnë gjërat ne Itali dhe Juventusi nuk mund t’i lejojë vetes që të kalojë edhe një tjetër sezon pa fituar asgjë. Alegri e tha se titulli është detyrim dhe këtë ambicie e konfirmojnë edhe afrimet e bëra.
Do të mjaftohet Juventusi vetëm me titullin?
Absolutisht jo. Bardhezinjtë do të duan të bëjnë maksimumin edhe në Europë, por pas dy vitesh duarbosh titulli mbetet objektivi madhor. Përndryshe nuk do ta shpjegoja dot afrimin e Di Marias e Pogbasë, lojtarë që në Itali mund t’i fitojnë ndeshjet edhe vetëm.
Po, por Pogba do të qëndroja për ca kohë jashtë…
Ky është një ters i gjallë, por francezi do të rikthehet në momentet vendimtare të sezonit dhe do të dijë që të bëjë diferencën.
Po Di Maria çfarë mund të bëjë?
Ah, sa mirë e njoh. Mbaj mend që në Madrid kishte njerëz, të cilët shkonin në stadium vetëm për ta parë duke luajtur. Me fizikun që ka më duket e vështirë të pranoj se është 34 vjeç. Për të mos folur për vizionin e tij të lojës. Në fushë sheh gjëra që nuk i sheh askush. Luan dhe shpik, sidomos asistet.
Vlahoviçi po fërkon duart sipas jush?
Në zonën e rreptësisë është një kafshë e vërtetë, por ka nevojë për më shumë ndihmë. Dhe Di Maria ka për ta ndihmuar.
A mos i duhet Juves një regjisor nga merkatoja?
Atë e di Alegri dhe drejtuesit. Unë mund të them se do të tentojnë titullin e të bëjnë diçka më shumë në Champions ku trofeun kanë kohë që e ndjekin. Ecuria e viteve të fundit flet qartë: Për t’ia dalë në Europë duhet të shënosh sepse golat nuk t’i falin. As Vlahoviçit, e askujt tjetër.
Ashtu si edhe ju, Kieza ka vuajtur nga dëmtimi në gju. Çfarë prisni prej tij?
Për fat të keq jam shumë i informuar në këtë fushë. Sipas meje është lojtari më i fortë italian, por për mënyrën se si luan do t’i duhet kohë për të gjetur forcën dhe sprintet e dikurshme. Me dikë si ai e Di Maria, Juventusi do të ketë shumë variante për të përdorur. Pres një ekip më ofensiv, tamam si ata që nevojiten në Europë ku nuk fitohet dot duke spekuluar.
Reali fitoi duke mos shprehur futbollin më të mirë ama..
Nuk do të më dëgjoni kurrë duke folur keq për Karlo Ançelotin…
A vlen Bremeri për të zëvendësuar De Ligtin?
De Ligt është 22 vjeç dhe për dekadën e ardhshme mund të jetë ndër mbrojtësit më të fortë në botë. Nuk është se Bremeri është i moshuar. Ai vjen nga një sezon i mrekullueshëm dhe nëse do të arrijë të përsëritet askush nuk do ta qajë De Ligtin në Torino.
Pra, sfida do të jetë Inter-Juventus, me Milanin jashtë garë?
Absolutisht jo. Kush fiton titullin nuk mund të mos jetë favorit. Të paktën në nisje të kampionatit Milani vlen të paktën sa Interi e Juventusi. Pra, janë tri ekipe favorite, madje shumë herë më të shkëputura nga të tjerat për nga cilësitë, kundrejt një sezoni më parë.
Pra, edhe Napoli ju duket larg treshes?
Nuk e di se sa larg, por me Insinjen e Kulibalinë ka humbur dy kolona të rëndësishme. Duhet parë se çfarë do të bëjnë në merkato deri në fund të gushtit, por nëse marrim si shembull Romën, skuadra e Murinjos ka lëvizur më mirë sesa napolitanët.
Përse Milani mund të konkurrojë Juven dhe Interin?
Sepse ka një bazë solide me lojtarë që e kanë të qartë idenë e futbollit që u kërkohet. Sigurisht, vend për përmirësime ka gjithmonë.
I tillë mund të jetë De Ketelere?
Nuk e njoh mirë dhe për ta vlerësuar nuk mjafton fakti që luan te Bryzhi apo sepse është pjesë e kombëtares së vendit të tij. Si cilësi, fantazi apo modernizëm, mund të jetë pikërisht ai që i nevojitet një skuadre që ka treguar soliditet, e jo vetëm në mbrojtje.
Mund të thuhet se Milani ka pak forcë sulmuese?
Varet. Do t’ju përgjigjesha negativisht nëse Leao bën hovin cilësor dhe Origi tregon me vazhdimësi cilësitë që te Liverpuli ia kemi parë në disa situata. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të thosha se Olivie Zhiru nuk mjafton.
Milani ka edhe Ibrën apo e harruat?
Zlatani është një dhuratë që skuadra mund ta hapë në mes të sezonit. I pari që do të jetë kureshtar për formën e tij do të jetë vetë Ibra. Unë kur operohesha e torturoja veten me pyetje dyshuese në lidhje me formën që do të kisha pasi të rikthehesha.
Po nga Roma, çfarë prisni?
Më shumë se çdo gjë tjetër, më argëton sharmi i Murinjos. Drejtues apo lojtarë, e kanë të vështirë t’i thonë jo. Ai di sesi të marrë çdo gjë që dëshiron, por duke i bindur të tjerët se ajo që dëshiron Murinjo është edhe dëshira e atyre që ai kërkon. Mendoj se është trajneri i duhur për të prekur telat e duhura te Dibala, i cili në Romë mund të bëhet një idhull, atë që ndoshta kurrë nuk u ndie plotësisht te Juvja.
Ku mund të mbërrijë ekipi i Murinjos?
Rreziku për Romën, nëse më kujtohet mirë, është euforia e tepërt e qytetit dhe tifozërisë. Synimi për t’u rikthyer në Champions në këtë pikë është një domosdoshmëri, edhe pse Murinjo është shumë i zgjuar për ta pranuar. Të fillosh të flasësh për titull që tani do të ishte djegia e një projekti pune. Një gjë është e sigurt: të luash në “Olimpico” këtë vit do të jetë një tmerr për të gjithë.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit
