Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, ka deklaruar sot se nuk do të blejë më futbollistë afrikanë. Sipas tij, mungesa e tyre gjatë pjesëmarrjes në Kupën e Afrikës krijonte vazhdimisht probleme për klubin që nuk i kishte në dispozicion për periudha të gjata në mes të sezonit.
Një deklaratë që ka bërë xhiron e botës dhe është cilësuar edhe si raciste, duke marrë parasysh faktin se në vitet e fundit në futbollin italian e për më tepër te Napoli, ka pasur shumë futbollistë afrikanë. Një prej tyre ishte mbrojtësi Kalidu Kulibali, i cili i është përgjigjur nga Londra, ku është transferuar së fundmi pasi i është bashkuar skuadrës së Çelsit.
“Mendoj se gjëja më e rëndësishme është respekti për të gjithë. Kur luaja te Napoli, unë isha edhe një përfaqësues i Senegalit. E vërteta është që ishte shumë e vështirë kur u nisëm për në Kupën e Afrikës, por duhet respekt edhe për kombëtaret afrikane.
Si kapiten i Senegalit, mendoj se nuk është korrekte të flasim në këtë mënyrë për një kombëtare afrikane. Unë e respektoj atë që mendon, është e drejta e tij nëse mendon se skuadra është në gjendje të luajë pa afrikanë. Por jam i sigurt se te Napoli ka shumë persona që nuk e mendojnë si ai. I marr këto deklarata si diçka që e mendon ai, jo si ajo që mendojnë qyteti apo klubi”, tha Kulibali si përgjigje ndaj fjalëve të presidentit të Napolit.
Arena e Lajmit
