Orges Shehi merr përgjegjësitë për paraqitjen në Europë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Tiranës flet për çfarë ndodhi dhe çfarë do të ndodhë në kampionat. Rrëfen boshllëqet dhe ku duhet të riparohet skuadra. Orges Shehi është trajneri më jetëgjatë i epokës “Halili”, por jo vetëm kaq. Trajneri i bardhebluve që ka marrë skuadrën prej 27 janarit 2021, ka 555 ditë në krye të kampionëve të Shqipërisë, duke thyer rekordin e Gugash Maganit.

Zoti Shehi, Europa u mbyll, por a mund të jepni një përshtypje për këtë aventurë të skuadrës tuaj?
Europa iku. Tani jemi në një etapë tjetër, ajo e kampionatit. Sigurosht që nga kjo aventurë duhet të nxjerrim mësime. Kundërshtarët janë tani të fortë fizikisht, por në realitet janë më të thjeshtë. Thjesht kundërshtarët janë më të përqendruar në momentet delikate.
Kundërshtarët janë kampionë dhe me zor ta japin mundësinë që të shkosh te porta. Dhe nëse shkon, duhet të shënosh gol, po kështu ai kundërshtar në gabimin më të vogël që bën ti, të ndëshkon. Ka ndodhur kjo tablo në të gjitha ndeshjet tona. Kemi bërë gabime vetë dhe kundërshtarët nuk të falin. Nëse ne i japim një gjysmë mundësie, atëherë kundërshtarët nuk të falin dhe gjithçka bëhet më e vështirë.
Besoj se ky është edhe pengu juaj më i madh?
Pengu është se ka pasur disa probleme që krijojnë pështjellim dhe përqendrim, sepse e humbet përqendrimin. Ky është pengu më i madh, pasi nëse nuk do t’i kishim këto problemet e vogla te përqendrimi që sollën edhe humbjen e urisë së skuadrës. Ky është pengu im që kam nga Europa.
Është e vërtetë që ju keni marrë përgjegjësinë e rezultateve në Europë?
Është e vërtetë që para skuadrës dhe stafit drejtues i kam marrë unë përgjegjësitë. Në konceptin tim, trajneri duhet të dalë përgjegjës kur skuadra humbet. Unë dhe Tirana e kemi kryesuar kampionatin në 31 javë dhe nuk kam dalë më shumë se dy herë në studio. Unë vazhdoj të mendoj se kur fitohet, skena është e lojtarëve, kur humbitet trajneri merr përgjegjësitë mbi vete dhe nuk godet futbollistët.
Sigurisht që kam kritika për lojtarët, por ato janë për dhomat e zhveshjeve dhe asnjëherë në publik. Trajneri nuk mund të thotë gaboi ky, ai, ata. Kurrë nuk e kam bërë, nuk kam thënë asgjë. Nuk kam thënë nuk erdhi ky apo nuk u zëvendësua ai. Ama, brenda karakterit tim ndiej që kur ditët janë me shi do të jem unë mes rrebeshit. Në ditët me diell meritat duhet t’i marrë skuadra.
Totre u largua, flitet edhe për një largim të Seferit. Është kjo skuadër e kompletuar për Europën?
Ne jemi koshientë që lojtarët më të mirë janë gjithmonë në fokus. Futbolli europian kështu është. Lojtarët ikin gjithmonë në bazë të normave ose në bazë të vlerësimeve që klubi bën, atëherë do të mundohemi që ne t’i zëvendësojmë. Është e vështirë, por ne do të mundohemi që t’i zëvendësojmë. Nuk duam të dalim jashtë futbollit europian. Kjo është gjendja. Edhe pse na prish nga cilësia do të mundohemi që t’i zëvendësojmë, por shyqyr që ka ardhur kjo ditë që klubi bën transferta. Ama, vështirësia bie te ne, sepse duhet të gjejmë lojtarët e duhur dhe ndërrojmë diçka në mënyrë lojë.
Kjo skuadër aktuale, e mbron dot titullin?
Skuadra do të ketë largime dhe afrime, sepse lojtarët do të zëvendësohen. Objektivat që ka klubi janë madhorë. Ne do të vazhdojmë që të jemi gjithmonë kompetitivë dhe të pozicionohemi në majë të klasifikimit.
Ku ju duhen përforcime konkretisht?
Energjitë tona duhet të fokusohen te zëvendësimi i Totres dhe Taulantit, gjithmonë nëse ikën. Ne duam lojtarë në mesfushë dhe në sulm për të zëvendësuar këta lojtarë.
Keni një vlerësim për kundërshtarët e kampionatit?
I kam ndjekur. Dikush ka bërë një fazë më të gjatë apo pak më të shkurtër. Kundërshtarët do të shihen rrugës. Disa ekipe elitare janë gjithmonë në kërkim përmirësimi dhe marrjes lojtarëve cilësorë për të qenë edhe ata pretendentë. Do të jenë kundërshtarët klasikë.
Jeni trajneri më jetëgjatë i Tiranës?
Është kënaqësi dhe vlerësim që jam pjesë e këtij klubi. Kjo nuk vjen rastësisht. Si unë dhe stafi kemi punuar shumë. Vjet kemi bërë një kampionat shumë të mirë. Kemi dominuar sezonin që nga java e gjashtë deri në fund. Pritshmëritë rriten dhe jam i kënaqur dhe i lumtur që si unë, edhe stafi, kemi këtë rrugëtim te Tirana.
Statistika e fundit që nuk keni thyer është dopieta me Tiranën?
Tirana është skuadra që kërkon të jetë pretendente. Dominuese, sepse e kërkon tradita, fanella dhe titujt. Kur futesh në garë ke objektiva maksimalë: Kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Më vjen keq, sepse ikëm nga Kupa vjet vetëm për 45 minuta të këqija.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit
and then