Qendërsulmuesi kongolez i Egnatias, Dzon Delarzh, është prononcuar ditën e djeshme për “Panorama Sport”, ku ka shprehur bindjen e palëkundshme se Egnatia e këtij sezoni të ri është ndërtuar për të shkëlqyer.
Sipas tij, skuadra do të befasojë me stilin e lojës së saj, por mbi të gjitha me pretendimet më të mëdha për të synuar jo më mbijetesën, por përfshirjen në grupin e skuadrave më të mira të sezonit të ri, që tashmë është në prag.
Delarzh, si po ecin përgatitjet e Egnatias në Ohër?
Prej ditësh që jemi këtu gjithçka ka ecur vërtet shumë mirë. Është punuar me seriozitet dhe duket qartë se skuadra ka tashmë shumë alternativa në të gjitha repartet.
Nga i panjohur pak kohë më parë, tani në një personazh thuajse kryesor për sulmin e ekipit rrogozhinas. Çfarë ka ndryshuar?
Fakti që unë jam këtu dhe nuk zgjodha largimin me ndonjë ekip tjetër, flet për mundësitë më të mëdha që do të kemi në sezonin e ri për të qenë lider në sulm. Më pëlqen kjo situatë që përditë bëhet edhe më tepër optimiste, sepse më ka motivuar mua dhe të gjithë futbollistët e tjerë edhe në takimet miqësore. Por në kampionat mendoj se Egnatia do të jetë më e fortë në të gjithë komponentët.
Dy golat tuaj në miqësoren e parë ndaj Strugës dhe një 11- metërsh i humbur. A janë paralajmërim se do të jeni ju tashmë “njeriu gol” te rrogozhinasit?
Po punoj fort dhe këtë e kam ide fikse në kokë, por edhe te këmbët e mia. Të shënoj e t’i shërbej sa më shumë skuadrës. E para sepse nuk mendoj kurrsesi që kjo skuadër ka synim mbijetesën. Përkundrazi, e shoh ekipin në atë gjendje dhe në atë nivel sportiv, që të pretendojë të jetë pjesë e grupit të skuadrave pretendente.
E bën Egnatian një skuadër më tërheqëse fakti që ka një ndërthurje lojtarësh të rinj dhe me eksperiencë në organikë?
Është vërtetë kështu. Ka një ndërthurje të mirë të moshave dhe përvojave. Por më tepër se kaq çmoj dublimet e pozicioneve që ndryshe quhet rritje e konkurrencës. Ka disiplinë të lartë e frymë kolektive, që lëshon sinjalet më të mira të mundshme për startin e mbarë të sezonit të ri, që po na troket te dera.
FATMIR EFICA – Arena e Lajmit
