
Një person ka rënë në pranga pasi dyshohet se tregtonte paketa me cigare të kontrabanduara.
Bëhet me dije se gjatë këtij operacioni janë sekuestruar dhjetëra steka me cigare të llojeve të ndryshme. Mësohet se pas hekurave ra shtetasi Arjan Deliu.
Njoftimi:
DVP Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “False”.
Vihet në pranga 1 shtetas që tregtonte paketa me cigare, të dyshuara të kontrabanduara, me pulla fiskale të falsifikuara.
Sekuestrohen dhjetëra steka me cigare të llojeve të ndryshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “False”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. D., 55 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin e shtetasit A. D., në rrugën “Hamdi Pepo”, shërbimet e Policisë gjetën dhjetëra steka me cigare, të dyshuara të kontrabanduara dhe me pulla fiskale të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Arena e Lajmit
and then