Romelu Lukakut i kanë mjaftuar 82 sekonda ndaj Leçes për të nisur me gol aventurën e tij të dytë si zikaltër dhe për të paralajmëruar të gjithë rivalët mbi rikthimin e tij.
Sulmuesi ka ndërruar vetëm numrin e fanellës, por edhe me 90 mbi shpinë vazhdon të jetë qendra e universit zikaltër, duke fituar kështu betejën e parë, atë morale. Tani belgut i duhet të fitojë edhe atë teknike, procesi për të cilin është duke vazhduar. Mbi të gjitha i duhet të përmirësojë ende përgatitjen e tij atletike falë së cilës mund të depërtojë mes kundërshtarëve, ndërkohë që pas nuk duhet lënë as integrimi i tij në lojën e Inzagit që është ende i pakompletuar.
Sezonin e kaluar Interi ishte mësuar me një qendërsulmues manovre si Xheko, kurse tani duhet të mësohet me një që preferon hapësira dhe thellësinë. Gjithsesi, nga grinta dhe vullneti që ka treguar Lukaku për të qenë sërish faktor në fushë për zikaltrit, është vetëm çështje kohe që të rikthehet në formën optimale dhe po ashtu të jetë një me skuadrën.
DERBI – Por ndërkohë që fiziku i tij duhet përmirësuar dalëngadalë, 29-vjeçari e ka tashmë një synim kohor: 3 shtatorin, derbin me Milanin. Mungojnë diçka më shumë se dy javë, në të cilat Interi do të përballet me Specian, Lacion e Kremonezen, një rrugëtim ideal gjatë të cilit Romelu të ketë mundësinë të adaptojë mekanizmat e tij me të skuadrës dhe të jetë gjithmonë e më shumë pranë maksimumit të tij fizik. Fundja për të derbi nuk është diçka e re, përkundrazi.
Ka luajtur 5 të tillë dhe ka fituar 4, duke gjetur gjithmonë golin. Nga ana tjetër Milani ka humbur vetëm 1 nga 4 derbet e sezonit të shkuar kur Lukaku nuk ishte pjesë e skuadrës dhe këtë shtator ngelet ende të konfirmohet nëse “Big Rom”-i është vërtetë macja e zezë e kampionëve të Italisë. Pikërisht shpallja e “kushërinjve” kampionë, është diçka që nuk është përtypur akoma në Apiano Xhentile dhe ajrin e zhgënjimit për titullin e humbur në fund e ka thithur edhe Lukaku.
Përveç “hakmarrjes” dhe derbit, belgu ka si qëllim edhe mbërritjen në kuotën e 50 golave në Serinë A. Sot është i ndalur në 48, por deri në përballjen me kuqezinjtë i ka të gjitha mundësitë për ta tejkaluar këtë shifër. Gjysmë shekulli gola dhe fitorja në derbi janë tashmë stimuj të mjaftueshëm që Lukaku të përshpejtojë hapat për të qenë në maksimum në 3 shtator.
Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit
