Pas gjashtë muajsh nga nisja e luftës, dje në Ukrainë ka marrë jetë edhe futbolli, teksa zyrtarisht startoi ajo që quhet Premier Liga. Në këtë periudhë shumë të vështirë për popullin ukrainas, klubet e futbollit kanë gjetur mënyrën të organizohen. Edhe pse shpenzimet nuk janë si më parë, e rëndësishme ishte që dje për javën e parë u luajtën 4 ndeshje dhe në njërën prej tyre ishin në fushë edhe lojtarët që u shpallën kampionë te Tirana: Taulant Seferi, Ardit Toli dhe Enur Totre. Por si mund të luhet në një vend ku lufta është ende e prekshme…?

Dje gjithçka nisi me dyer të mbyllura për tifozët dhe me një numër të limituar zyrtarë klubesh në tribunën qendrore. Për të evituar faktin që stadiumet mund të kthehen në shënjestra nga rusët, në çdo cep të impianteve janë instaluar sirenat e alarmeve ajrore, që janë gati për të rënë në çdo moment nëse ka sulme. Për t’i paraprirë së keqes, janë marrë masa që ngjitur stadiumit të ketë bunkerë, aty ku mund të strehohen menjëherë lojtarët dhe zyrtarët e skuadrave. Bunkerët janë ndërtuar enkas për këtë situatë dhe për ata që nuk jetojnë në Ukrainë, natyrisht që mund të duket diçka e imagjinueshme.
Sigurisht në këtë periudhë kampionati do të luhet në ato vende që cilësohen si më të sigurta për momentin. Për shembull, skuadra e Zoria Luhansk, që dje mposhti Vorsklën 3-1, u arratis nga Donbasi, që tashmë është në dorë të rusëve dhe luajti si pritës në stadiumin “Avanhard” të qytetit Uzhhorod. Gjatë së martës në të katërta ndeshjet e luajtura kishte prezencë të madhe të forcave ushtarake në stadiume. Rregulli numër një në këtë kohë lufte është që ndeshjet do të ndërpriten menjëherë në rast se dëgjohen sirenat e alarmit ajror.
Arena e Lajmit
and then