Favoritët e kompanive europiane të basteve nuk kanë ndryshuar edhe pas hedhjes së shorit të fazës së grupeve në Stamboll. Mançester Siti mbetet skuadra favorite për të triumfuar në finalen e 10 qershorit 2023.
Suksesi i kampionëve të Anglisë kuotohet me koeficientin 3.5 dhe “Qytetarët” e Pep Guardiolës ndiqen menjëherë nga kampionët e Francës, PSG-ja. Janë dy skuadrat që kanë shpenzuar qindra-miliona euro për të prishur më në fund mallkimin e këtij kompeticioni, të cilit i janë afruar deri në finale gjatë historisë së tyre.
Në vend të tretë renditet skuadra e Liverpulit. Nënkampionët e Europës kuotohen me koeficientin 6.5 dhe menjëherë pas tyre vjen Bajerni i Mynihut me 7.5. Skuadra e Nagelsmanit u shortua në grupin e ferrit bashkë me Interin dhe Barcelonën.
Pas kampionëve të Gjermanisë, vjen Reali i Madridit. Kampionët e Europës kuotohen me 10. Shumë poshtë renditen ekipet italiane: Juventusi ka koeficientin 41, Interi 51, ndërsa Milani 67 për të fituar trofeun. Totenhemi (15) lë pas Çelsin (17).
Arena e Lajmit
