Mesfushori i lindur në Slloveni, Aron Kaçinari, është afrimi më i fundit i Kastriotit në merkaton e verës.
“Panorama Sport”zbulon ekskluzivisht se klubi krutan ka arritur marrëveshjen e bashkëpunimit me Venecian për huazimin deri në fund të sezonit të 21-vjeçarit.
Ky i fundit ka firmosur gjatë muajit të kaluar një kontratë 2-vjeçare me klubin italian dhe duke qenë se hapësirat te Venecia mungojnë, është menduar që Kaçinari të luajë për një sezon në kampionatin shqiptar.
Dje menjëherë lojtari ka dalë në stërvitje me Kastriotin në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës.
Bëhet fjalë për një mesfushor qendre me tipare ofensive, që mund t’i bëjë shumë punë skuadrës së Çelës.
Në sezonin 2021-2022, ai ka qenë pjesë e klubit të elitës së futbollit slloven, Tabor Sezana.
Ndërsa ka luajtur edhe për skuadra si Gorica, NS Drava, Ankaran Hrvatni dhe NK Bravo.
Klubi krutan pritet të zyrtarizojë vetëm sot marrëveshjen, ndërkohë që pret të intensifikojë në vazhdimësi bashkëpunimin me italianët e Venecias, që këtë sezon militojnë në Serinë B.
Kujtojmë që më parë me Kastriotin kanë firmosur lojtar si Zajsar Arapi, Kevin Aliaj, Millosh Stojanoviç, Franc Marinaj, Livio Malaj, Xhuljo Mehmeti, Martin Prenkoçeviç, Gabriel Morbek dhe Abjel Bejzade, të cilët janë federuar zyrtarisht nga klubi.
Ndeshja e radhës për Kastriotin është të shtunën në transfertë kundër Kukësit. Të dyja skuadrat kanë grumbulluar vetëm një pikë në dy javë.
– Arena e Lajmit
