“Na mohuan penallti me Kastriotin”, Iljazi karikon Erzenin: Do fitojmë 2-0 në derbi

Ardit Iljazi është një nga përforcimet e Erzenit në merkaton e verës, teksa në dy ndeshjet e para ka treguar se pritet të jetë një pikë shumë e rëndësishme e skuadrës në repartin e mbrojtjes. Në takimin e fundit ai u bë protagonist edhe i një rasti ku shijakasit kontestuan fort gjykimin, pasi pretenduan për penallti të padhënë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 22- vjeçari që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të Shkupit, flet për barazimin me Kastriotin dhe derbin me Teutën, ku parashikon fitore 2-0 në “Niko Dovana”.

iljazi

Ardit, dy ndeshje pa pësuar gol dhe katër pikë të grumbulluara. E prisje këtë start të Erzenit?

Po, e prisja. Kjo është gjëja kryesore për ne mbrojtësit, pra të mbajmë portën e paprekur. Shpresoj që do ta mbajmë edhe më gjatë të paprekur, sepse kemi një frymë pozitive me gjithë shokët e ekipit.

Protestuat shumë në ndeshjen ndaj Kastriotit, ku kërkuat një penallti dhe ju ishit protagonist i rastit…

Mendoj që ishte penallti, sepse u pengova në zonë. Nëse rasti do të shikohej me VAR, e sigurt që do të akordohej 11-metërsh. Megjithatë, kaloi ai takim dhe tani duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës.

ardit iljazi

Duket sikur jeni ambientuar më shpejt seç duhet në Shijak…

Jam i lumtur, sepse jam ambientuar shumë shpejt. Më kanë pritur shumë ngrohtë të gjithë shokët e ekipit dhe stafi teknik, por gjëja më kryesore që më ka bërë të ndihem si në shtëpi janë tifozët shijakas, të cilët na kanë mbështetur edhe në stërvitje, jo vetëm në ndeshje.

Vini pas një sezoni ku provuat titullin kampion në Maqedoninë e Veriut me Shkupin. Cila është diferenca me kampionatin shqiptar?

Të them të drejtën, kampionati shqiptar është më lart si nivel. E shikoj kampionat më të fortë, sepse në shumë gjëra ka ndryshime. Ndeshjet janë më interesante dhe befasuese.

Ju pret derbi me Teutën, keni ndonjë parashikim?

Po, është një ndeshje derbi që ne do të futemi për 3 pikë. Kam shumë besim se do të fitojmë 2-0, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.

RONALD FAJA-Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×