Nuk ka më dy shime, Alfred Ferko do të jetë drejtor teknik te Flamurtari. Lajmi i raportuar ekskluzivisht nga “Panorama Sport”, është konfirmuar nga vetë administratori. Në një deklaratë të dhënë për gazetën, ai saktëson se ish-mbrojtësi do të ketë i plotfuqishëm në klub.
Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, njëherazi i Partizanit, Flamurtarit, Dinamos dhe Panachaiki të Greqisë, por dhe ish-trajner i Flamurtarit, Egnatias, Shkumbinit dhe Teutës, do të mbajë edhe dy detyra të tjera te kuqezinjtë. “Alfred Ferko është drejtori i ri teknik i Flamurtarit. Ai ka fuqi të jashtëzakonshme absolute vendimmarrjeje. Nuk është vetëm drejtor teknik, por edhe këshilltar, programues dhe zbulues talentesh.
Ferko ka një detyrë të rëndësishme. Është më i plotfuqishmi në klub, në kuptimin e të gjithave. Ne kemi shumë kënaqësi që një emër i tillë me kontribute të mëdha si futbollist apo edhe trajner në të shkuarën, të jetë tashmë drejtuesi kryesor i klubit. Kam shumë besim se do të japë maksimumin e tij për Flamurtarin”, saktëson Sinan Idrizi.
PARALAJMËRIMI
Numri një i klubit është më i vendosur se kurrë që të “prish përgjumjen” që ka kapur ekipin pas rënies në Kategorinë e Dytë, ndaj paralajmëron lëvizje të tjera edhe në stafin teknik: “Stafi do të ketë edhe shumë lëvizje të tjera. Unë e kam bërë të qartë që nuk tolerohet më! Ta kam thënë edhe herën e kaluar që kuzhina është punë interesante, tani ka ardhur koha të shikojmë shërbimet që kanë bërë”.
Me emërimin e Alfred Ferkos si drejtor teknik i Flamurtarit, administratori Sinan Idrizi “zhvesh” Ardi Cirunën nga vendimmarrjet dhe përgjegjësitë. Deri më tani Ciruna ka pasur dorë të lirë në merkato, por çdo gjë tashmë do të kalojë në duart e Alfred Ferkos.
Gazeta mëson se, Cirunës i është propozuar një detyrë administrative në klub, dhe se tashmë mbetet në dorën e ish-drejtorit nëse do ta pranojë. Ditët e fundit që prej emërimit të Ferkos si drejtor teknik, Ciruna nuk po shfaqet më në seancat stërvitore të skuadrës dhe po shikohet gjithmonë e më radhë në klub.
MERKATO
Sinan Idrizi konfirmon mbylljen e marrëveshjes me ish-lojtarin e Kukësit, Erik Flores si dhe dy brazilianë të tjerë. “Jemi në merkato. Një nga goditjet është afrimi i Erik Flores që ka luajtur me Kukësin. Kemi mbyllur gjithçka edhe me dy brazilianë të tjerë. Këtë javë skuadra do të jetë tërësisht e kompletuar”, përfundon administratori.
– Arena e Lajmit
