Shorti i Champions-it sivjet vuri Juventusin dhe PSG-në në të njëjtin grup, një përballje që mungonte që prej vitit 1998.

Edhe pse kohët kanë ndryshuar dhe situata aktuale mund të jenë disi ndryshe, francezët kanë një histori të dhimbshme, plot plagë përballë “Zonjës së Vjetër”.
Madje, bardhezinjtë, sa herë që gjejnë PSG-në në rrugën e tyre, jo vetëm që e mundin gjithmonë, por në fund fitojnë edhe trofeun.
SEZONI 1983-1984 – “PENGJET E MËDHA”
Përballja e tyre e parë ishte në 1/8-at e Kupës së Kupave, me ndeshjen e vajtjes e cila meritohej që të fitohej nga PSG-ja, falë lojës fantastike të Safet Susiçit dhe Alen Koriolit, por golave të tyre iu përgjigjën “Topat e Artë”, Mishel Platini dhe Paolo Rosi, që ngrinë shifrat në 2-2. Në ndeshjen e kthimit në Torino, një 90 minutësh “alla italiançe” 0-0 eliminoi francezët mes shumë pengjeve. Madje, Juvja do të arrinte deri në fund të turneut dhe do të fitonte Kupën e Kupave.
SEZONI 1989-1990 – “KRIMI PERFEKT”
Në Paris, në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA, PSG-ja bën një ndeshje sulmuese në shtëpi, ndërkohë që Juventusi kishte vendosur që të mos e lëshonte gjysmën e fushës së tij, derisa në kundërsulmin e parë dhe të vetëm shënojnë golin e fitores, 1-0. “Krimi perfekt” do të ishte titulli i “L’Equipe” ditën tjetër, ndërkohë që në Torino fitojnë të zotët e shtëpisë 2-1. Dhe sërish, në fund të turneut ishin juventinët që ngrinin Kupën UEFA.
SEZONI 1992-1993 – “TË PAKORRIGJUESHËM”
Sërish PSG-Juve përballë njëra-tjetrës në gjysmëfinalen e Kupës UEFA, ku Roberto Baxho në frymën e fundit shënon golin e përmbysjes pas avantazhit të Zhorzh Ueah. “Të pakorrigjueshëm”, shkruante media franceze, pasi nuk e kapërdinte eliminimin e tretë radhazi nga Juventusi. “Kur do të mësojmë që ndeshjet zgjasin 90 minuta”, shfrynin artikuj të tjerë. Dhe gjejeni pak… Në fund, italianët ngrenë sërish trofeun, duke shkatërruar në finale Dortmundin.
SEZONI 1996-1997 – “QESHARAKË”
16 janar 1997, në skenë vihet finalja e vajtjes e Superkupës së Europës, me “L’Equipe” që nuk përmbahet pas ndeshjes: “Qesharakë”, duke qenë se Juvja shkatërron 6-1 PSG-në. Ndërkohë ndeshja e kthimit ishte një formalitet, 3-1 për Juven që ngre trofeun sërish dhe 9-2 rezultati i përgjithshëm. “Të turpshëm” godiste sërish “L’Equipe”, ndonëse sot në mbrëmje, PSG-ja ka më në fund një tjetër mundësi për të ndryshuar trendin negativ kundër Juventusit.
Arena e Lajmit
and then