EKSKLUZIVE/ “Po i ngjiti Troisi, vij nga Suedia”, ish-trajneri i Flamurtarit “skanon” zhvillimet: Resuli nën presion, e rëndë nëse…

Edmond Lutaj e quan vendim të marrë nga gjaknxehtësia dorëheqjen e Dritan Resulit. Ish-lojtari mendon se trajneri duhet të konsultohej me klubin fillimisht, megjithatë thekson se do të ishte e rëndë nëse ka pasur vërtet ndërhyrje. E vlerëson emërimin në krye të klubit, të Alfred Ferkos, ndërsa gjen rastin ta falënderojë për një episod të ndodhur në vitin e largët, 1985.

Lutaj

Nuk i shikon fort pozitive ndryshimet e shumta në skuadër dhe sidomos me të huajt, ndërsa deklaron se do vijë enkas nga Suedia që t’i japë dorën Marcelo Troisit nëse do të ngjisë Flamurtarin në Superiore. Këto edhe të tjera, ish-tekniku i kuqezinjve i thotë gjatë një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”.

Flamurtari e nisi me humbje sezonin, duke u përmbysur nga Luzi debutues. Ju bëri përshtypje kjo gjë?

Start jo i mirë për një ekip që synon ngjitjen në Superiore. Normalisht ishte një surprizë ky rezultat.

Resuli dha dorëheqjen pas ndeshjes, por u konsultua fillimisht me administratorin. Si e vlerësoni këtë vendim?

Unë nuk e kuptoj tamam se ku është fjala, megjithatë do ta jap një opinion për këtë vendim. Trajneri ka qenë nën presion dhe ka marrë një vendim të tillë në gjaknxehtësi e sipër. Për të respektuar klubin normalisht duhej të informohej ky i pari, pastaj lojtarët. Por veprimi i Resulit është i justifikuar për arsye se ai la vendin e punës, që unë mendoj se e donte jashtë mase.

Teksa u komunikoi lojtarëve dorëheqjen në dhomat e zhveshjes, Resuli deklaroi se kishte ndërhyrje. Çfarë kuptoni me këtë?

Nëse ky informacion është i saktë, nuk është një lajm i mirë për klubin dhe tifozët e Flamurtarit. Por nuk është edhe çudi e madhe se kjo praktikë pune është më se e zakonshme në klubet shqiptare. Nëse zgjedh një timonier jepi besimin, mbështete në të gjitha situatat dhe lëre të bëjë detyrën. Këto praktika ndjekin klubet elitare. Pastaj çdo president mund të zgjedhë mënyrat e veta të drejtimit të një klubi, është e drejta e tyre ekskluzive.

Posti i trajnerit 24 orë ishte bosh, nëse do t’iu kontaktonin do ta pranonit?

Jo. Nuk mendoj se do të ishte e mundur për dy arsye. E para se unë nuk jam në preferencat e zotit Idrizi dhe arsyeja e dytë është se për momentin jam i angazhuar me punë të tjera. Megjithatë, fjala “Flamurtar” mua më emocionon pa masë dhe do të bëj të pamundurën që ta shikoj Flamurtarin në stadium në ndonjë ndeshje këtë sezon futbollistik.

Klubi ka emëruar drejtor teknik Alfred Ferkon. Si e vlerësoni?

Gëzohem për Fredin, se e njoh si një djalë shumë pozitiv dhe me një karrierë shumë të mirë. Mendoj se do t’i shërbejë në mënyrën më të mirë të mundshme Flamurtarit. Unë dua të ndaj dhe një kujtim me sportdashësit dhe me Fredin, ai ndoshta nuk e mban mend.

Çfarë kujtimi?

Në vitin 1985 ne luanim për kampionat kundër Traktorit të Lushnjës në Vlorë. Në kohën time aktivizohej një lojtar 18-vjeçar me rregullore të Federatës. 18-vjeçari duhet të luante minimumi një pjesë loje. Atë ndeshje unë e fillova lojën në formacion. Ishte praktikë që lojtari 18- vjeçar ndërrohej në pushim të ndeshjes.

Loja po shkonte shumë mirë dhe trajneri Leonidha Çurri bëhet gati të më zëvendësojë, por në atë moment ngrihet Ferko e i thotë që ndërrimi është i gabuar dhe unë duhej të vazhdoja të luaja, sepse ekipi po shkonte shumë mirë. Falë Fredit unë vazhdova lojën pjesën e dytë. Nuk e kam falënderuar Ferkon për këtë veprim dhe tani po më jepet mundësia ta falënderoj publikisht.

E shikoni të komplikuar kapjen e Superiores këtë vit?

Të fitosh garën është gjithmonë e vështirë, por Flamurtari e ka për detyrë të shkojë në Superiore.

Gati 10 lojtarë të huaj i janë afruar Flamurtarit në këtë merkato. Si e vlerësoni këtë fakt?

Të bësh ndryshime të mëdha në grup, unë nuk e shikoj si gjë pozitive. Lojtarëve të rinj u duhet kohë të përshtaten me ambientin dhe skuadrën.

Trajner i ri u emërua Marcelo Troisi. Keni një koment?

Nuk kam njohje personale, por Troisi është një emër i njohur, si për klubin ashtu edhe për kampionatin shqiptar. Që e kanë zgjedhur Troisin si trajner do të thotë që klubi beson tek ai. I uroj suksese dhe nëse e ngjit Flamurtarin në elitë, do të vij në Vlorë nga Suedia që t’i shtrëngoj dorën dhe ta uroj personalisht.

– Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×