Reali i Madridit e ka nisur si kampion rrugëtimin në Ligën e Kampioneve duke mundur Sëlltikun në Skoci me shifrat 0-3. Për madrilenët kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi në po kaq takime në këtë fillim sezoni mes kampionatit dhe kompeticioneve europiane. Por suksesi në Skoci i ka lënë një shije të hidhur në gojë kampionëve të Europës, teksa ata kanë humbur kapitenin Karim Benzema, por dhe dëmtimin e lehtë të Eder Militaos.
Francezi u detyrua të linte fushën e lojës pas vetëm 30 minutash lojë si pasojë e një dëmtimi në gju, ndërkohë që Militao e mbylli takimin në dhomat e zhveshjes në pushimin mes dy pjesëve. Ndaj, të gjithë në Madrid kanë pritur analizat për të kuptuar shkallën e dëmtimit për të dy lojtarët.
BENZEMA HUMB DERBIN
Vëmendja më e madhe ka qenë te kapiteni Karim Benzema. Sipas raportit të publikuar nga klubi madrilen, sulmuesi ka një “dëmtim të muskulit dhe mbingarkesë në kuadriceps, të dy në kofshën e djathtë”. Ky lajm është cilësuar pozitiv në Madrid, pasi duke parë reagimet e kapitenit në fushë dukej diçka shumë më serioze. Te Reali i druheshin një dëmtimi në menisk të numrit nëntë, por për fatin e “Los Blancos” një dëmtim i tillë është përjashtuar. Megjithatë, kapiteni do të duhet të qëndrojë për disa javë larg fushave, që do të thotë se ai do të humbasë minimalisht tri takime. Kështu, ai nuk do të jetë në fushë në fundjavë në takimin kundër Majorkës në La Liga, do të mungojë në përballjen e Ligës së Kampioneve ndaj Lajpcigut si dhe derbin e Madridit përballë Atletikos. Benzema do të humbasë edhe takimet për Ligën e Kombeve me kombëtaren franceze dhe sipas parashikimeve më optimiste në Madrid, do të kthehet në fushë më 2 tetor, kur Reali të përballet me Osasunën.
DËMTIMI I MILITAOS
Karim Benzema nuk ishte i vetmi nga lojtarët e Realit që doli i dëmtuar nga fitorja në Skoci. Edhe mbrojtësi Militao ka shfaqur probleme, duke mos e mbyllur takimin, teksa u zëvendësua nga Rydiger. Braziliani ka pasur një shqetësim muskulor në këmbën e majtë. Klubi ka dashur që Militao të bënte sot një rezonancë, por braziliani ka kryer testet e para që dje dhe ato nuk kanë treguar ndonjë problem serioz për të. Për brazilianin nuk duket asnjë formë dëmtimi, ndonëse pritet dhe një tjetër rezonancë sot paradite për të konfirmuar gjithçka. Nëse dhe rezonanca e sotme nuk tregon për ndonjë problem, plani i Realit është ta lërë pushim mbrojtësin për takimin e fundjavës kundër Majorkës.
LEDJO SEFERKOLLI-Arena e Lajmit
