Kastrioti ka qenë i fokusuar vetëm te stërvitja edhe gjatë ditës së djeshme dhe duke qëndruar larg vëmendjes mediatike. Krutanët kanë punuar në qetësi programet stërvitore të stafit teknik me në krye Emiljano Çelën për afro dy orë dhe gjatë seancës nuk ka munguar as atmosfera pozitive brenda në grup. Edhe sot skuadra do të stërvitet normalisht në një seancë të lehtë stërvitore, ndërsa pas seancës ekipi do të grumbullohet në njërin nga hotelet e zonës.

Krutanët vijnë në përballjen me Tiranën në një formë të mirë, duke qenë se arritën që të triumfonin përballë Kukësit në transfertë, një fitore me përmbysje e cila i dha moral dhe besim skuadrës për vazhdimësinë. Gjithashtu një lajm i mirë është edhe kontigjentin, i cili për këtë ndeshje të javës së katërt të kampionatit është i plotë, duke qenë se në dispozicion të stafit teknik rikthehet Bedri Greca.
Përballjet mes Kastriotit dhe Tiranës në vitet e fundit kanë prodhuar rivalitet të fortë dhe krutanët janë një skuadër që kanë triumfuar në dy sezonet e fundit përballë bardhebluve edhe atëherë kur kryeqytetasit vinin pas shumë serive me rezultate pozitive. Gjithsesi, përballja e nesërme pritet me mjaft interes edhe nga sportdashësit, të cilët pritet të jenë të shumtë në këtë përballje në stadiumin e Kamzës, e përcaktuar në orën 15:00. Klubi krutan ka vendosur çmime simbolike për tifozërinë vendëse duke synuar që të ketë një numër të madh mbështetësish për këtë përballje.
B. BALLIU – Arena e Lajmit
and then