Bylisi luan transfertën e dytë për këtë sezon dhe kalendari e ka vënë përballë Laçit. Ballshiotët shkojnë në këtë ndeshje pas disfatës në shtëpi me Partizanin, ndërsa gjatë javës trajneri Arian Bellai dhe stafi i tij kanë punuar shumë me skuadrën, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë tekniko-taktik dhe psikologjik. Nga ana tjetër, edhe skuadra mallakastriote ka reflektuar pozitivisht, sidomos në seancat stërvitore. Trajneri Arjan Bellai ka folur para sfidës me kurbinasit, ndërsa ai ka besim se ekipi i tij do të përballet denjësisht në këtë sfidë. Ish-lojtari i Kombëtares vlerëson Laçin, por është i bindur se në fushë do të jetë një Bylis konkurrues.
Bellai, nga Partizani në Laç, si shkon Bylisi në këtë transfertë?
Pasi analizuam humbjen me Partizanin, një ndeshje ku nuk patëm fat, por ndoshta eksperienca e skuadrës mike zgjidhi ndeshjen në favorin e tyre, u përqendruam te Laçi. Në futboll janë të tri rezultate. Ne u përpoqëm për më të mirën, por ndonjëherë fati nuk është me më të mirin dhe me atë që kërkon të fitojë ndeshjen. Gjithsesi, duhet të shohim përpara sepse ajo ndeshje nuk zhbëhet më. Të punojmë dhe të bëjmë kthesën sa më shpejt.
Si e shihni kundërshtarin e radhës?
Do të kërkojmë dhe tentojmë që të bëjmë kthesën. Janë ndeshje të forta që meritojnë vlerësim dhe siç e kam thënë në një strukturë me dhjetë ekipe nuk mund të bësh gabime sepse kushtojnë. Ndaj, edhe unë them që ne duhet që të vlerësojmë kundërshtarin dhe të përballemi denjësisht me të, duke respektuar edhe veten në fushën e lojës. Kjo është më e rëndësishmja dhe më kryesorja.
Kalendari ndoshta ka qenë jo i favorshëm…
Jo, s’mund ta themi këtë, sepse janë 10 ekipe. Por, jemi ndeshur me ekipe të forta që nga fillimi e deri në prag të kësaj sfide në Laç. Dihet se kush janë Teuta, Partizani apo edhe Laçi, që është në radhë me pretendentët e Superiores. Por edhe Bylisi ka atë historinë e vet në Superiore, që gjithmonë ka lënë shenjë. Ndaj ekipeve që i kemi parë në sy deri më tani duhet të kishim diçka më tepër në pikë, por futbolli kështu e ka. Të shohim përpara, kampionati është i gjatë.
Afrimet e fundit, si ju duken?
Të them të drejtën pritshmëritë i kemi për ekipin këtë sezon, por edhe për lojtarët. Ata janë ende duke u përshtatur me skuadrën, sepse kanë shumë pak ditë stërvitje me ne. Ata kanë eksperiencë dhe unë kam besim se do të na ndihmojnë duke filluar që nga kjo ndeshje.
ERJON SALIU – Arena e Lajmit
