“Ndaj PSG-së vuajtëm vetëm 20 minuta, më pas…”, Paredes: Po i mbush mendjen Di Marias që…

I kanë mjaftuar dy ndeshje Leandro Paredesit për të rrëmbyer zemrat e juventinëve, ndonëse ai ende nuk ishte prezantuar zyrtarisht me tifozët e rinj. Këtë e ka bërë nëpërmjet një konference për shtyp të mbajtur dje, ku mesfushori argjentinas tregon, jo vetëm dëshirën e madhe për t’u veshur bardhezi, por edhe objektivat e tentativat që po bën për të bindur Di Marian që të qëndrojë edhe një tjetër sezon te Juvja.

PAREDES 1

Si ju duket skuadra dhe çfarë mund t’i jepni kësaj Juveje?

Përshtypjet janë të mira. Kam gjetur një skuadër të fortë dhe një trajner të përgatitur. Jam i lumtur dhe uroj të jap kontributin tim në këtë kontekste. Dua të vendosem në gatishmëri të plotë e të jap 100 për qind në çdo ndeshje duke ndihmuar në aspektin mbrojtës dhe atë ofensiv.

Si ka qenë vera juaj me Di Marian?

Që kur e mora vesh se mund të ishim në një skuadër i kam fryrë kokën me këmbënguljen time. Folëm me familjet tona gjithashtu, sepse jemi shumë të lidhur dhe pas pak ditësh vendosëm se Juventusi do të ishte destinacioni i duhur. Gjithçka u vendos shumë shpejt nga ana ime dhe e Di Marias.

Patët frikë se mos transferimi juaj te Juventusi dështonte?

Kam qenë gjithmonë shumë i qetë dhe kam pasur besim te menaxherët e mi dhe klubi i Juventusit. Kemi folur shpesh dhe ata ishin të bindur për zgjedhjen. Kur të dyja palët janë të vendosura nuk i ndal dot askush. Besoj se tani jemi të gjithë të lumtur.

Çfarë ndryshimesh ka mes Serisë A dhe Francës?

Kam luajtur shumë pak për të folur mbi ndryshimet. Mund të them se unë jam rritur shumë. Kam pak ditë në Torino dhe do të kem kohë të gjykoj. Rëndësi ka që të gjithë të luajmë në maksimumin tonë për të marrë rezultate pozitive.

Sa mund ta ndihmojnë Juven vertikalizimet tuaja?

Është diçka që ma ka kërkuar edhe trajneri. E kam bërë e dua ta vazhdoj ta bëj. E zgjodha këtë ekip sepse e di se çfarë mund t’i jap. Ka qenë ëndërr imja që të transferohesha këtu. Më mungonte Seria A dhe Juvja ishte destinacioni i duhur.

A ju ka ngarkuar Alegri ndonjë detyrë të veçantë?

Që t’u kërkoj topin qendërmbrojtësve dhe të spostoj lojën sa më lart. Roli im është ky dhe dua ta bëj në mënyrën më të mirë.

Ku mund të përmirësohet kjo skuadër?

Në Paris luajtëm më mirë se në Firence, por rezultatet ishin të ndryshme. Me cilësinë që kemi në organikë, sigurisht që rezultatet mund të jenë edhe më të mira. Kemi shumë lojtarë të fortë për të mos synuar lart.

Çfarë i mungoi Juves kundër PSG-së?

Ritmi në 20 minutat e parë. Bëmë një ndeshje të madhe duke treguar se dimë të konkurrojmë në këto nivele. Në Paris treguam se mund të konkurrojmë me këdo. Uroj që rezultatet të jenë edhe më të mira e që skuadra të ngrejë nivelin akoma.

Si prisni që të jetë ndeshja me Salernitanën?

Për ne çdo ndeshje ka shumë rëndësi. Do të jetë e vështirë sepse përballë Juves motivohen të gjithë. Uroj që ndaj Salernitanës të rrëmbejmë tri pikët.

I keni kërkuar Di Marias të shtyjë me një vit qëndrimin te Juvja?

I kam kërkuar dhe e kam thënë disa herë që dua që ai të jetë me ne. Zgjedhja e fundit i takon Angelit.

Çfarë objektivash i keni vënë vetes për këtë sezon?

E para, të bëjmë sa më mirë me Juventusin. Pastaj kur të vijë koha do të mendoj për kombëtaren. Duhet të bëj mirë këtu dhe të arrij objektivat tanë e më pas do të mendoj për Botërorin në Katar.

Përgatiti: JETON STAMOLLA


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×