Juventus-Salernitana nuk mbaron kurrë!
Ndeshja e mbrëmshme, e cila ishte e vlefshme për javën e gjashtë të Serisë A përfundoi me rezultatin 2-2 mes tensionit, golave të anuluar dhe kartonëve të kuq.
Në minutën e 90+5′, Arkadius Milik shënon golin e avantazhit dhe të përmbysjes 3-2 të bardhezinjve me kokë nga goditja e këndit, por ishte arbitri dhe VAR-i që e anuluan sepse sipas rregullores së futbollit, Leonardo Bonuçi ishte në pozicion të parregullt dhe ka ndikuar me një lëvizje mashtruese në drejtim të portierit të Salernitanës.
Së fundmi dy futbollistët e Juventusit, Arkadius Milik dhe Huan Kuadrado kanë shprehur të gjithë indinjatën e tyre në “Story” të profilit të tyre të rrjetit social “Instagram”, duke mos u besuar syve për këtë gol të anuluar ku Kandreva sipas pamjeve të bëra virale në rrjet e ka mbajtur mbrojtësin e “Zonjës së Vjetër” në lojë:
“E pabesueshme”, ishte postimi i Kuadrados me pamjen e golit, ndërsa polaku që realizoi golin e komentoi me frazën “Pa fjalë”, dhe më pas ky postim u fshi nga vetë sulmuesi juventin.
– Arena e Lajmit
