“Ju tregoj të vërtetën me Shkëndijën”, Shehi i ka idetë e qarta për të ardhmen: Tirana veproi mirë me shitjet, presim më shumë nga të afruarit

Orges Shehi mbyll përfundimisht diskutimet për të ardhmen larg Tiranës. Trajneri i bardhebluve ka qenë në kontakte me drejtuesit e Shkëndijës së Tetovës, por ai ka bërë të qartë në një intervistë ekskluzive për “SportNews” në “News 24” se nuk ka ndër mend të largohet nga bardheblutë. Në një bashkëbisedim me moderatoren Trevisa Tufa, ai ka shpjeguar se si është ky start sezoni te Tirana që ka filluar përsëri gjithçka nga e para pas largimeve të shumta në verë.

trevisa shehi

“Negociatat me Shkëndijën? Mendoj se nuk ka negociata, sigurisht që disa momente ku gjej rastin të falënderoj drejtuesit e Shkëndijës për besimin që kishin ndaj meje për të nisur një projekt që do të ishte 2-3 vjeçar. Por u mbyll shumë shpejt se e kam thënë që deri me 31 maj jam trajner i Tiranës.

Nuk mendoj se ka arsye për t’u larguar nga Tirana. Jemi skuadër e ndërtuar pothuajse nga e para, nuk është se ka arsye që unë të mendoj largimin apo shkëpus marrëdhëniet. Marrëdhëniet janë për t’u respektuar nga të dy palët, nga unë dhe klubi.

Kushti i qëndrimit ishte ruajtja e grupit? Ne duam të mos ketë tranzicion shumë të madh, por në futbollin modern duke ditur çfarë lojtarësh kishim në dispozicion, ekzistonte frika e dilema a largohen apo jo. Në kushtet e futbollit modern çdo shoqëri bën një bilanc hyrje-dalje, mendoj se nga ana financiare duhet t’i afrohemi klubeve në Europë me sistem transfertash se mendoj që Tirana ka dy vite që ka hyrë në menaxhimin e mirë siç është futbolli kudo që të promovojë e shesë lojtarë. Kjo ka të mirën e vet, por edhe të keqen se ka tranzicion. Por në këto kushte mendoj se klubi e ka menduar mirë dhe është i qartë që duke afruar lojtarë të tjerë të jetë pranë objektivave që pretendojnë.

Mendoj se lojtarët që kanë ardhur janë cilësore, u duhet pak kohë se disa janë afruar shumë vonë, se ishte e varur dhe nga largimi i atyre që kishim në gjirin tonë. Ne presim shumë nga ata, që do të zëvendësojnë më së miri lojtarët e larguar. Duhet kohë që të përshtaten me ambientin, klubin, një mënyrë loje ndryshe. Jemi të kënaqur deri diku me atë që kanë prodhuar në lojë. Sa i përket lojës, kanë dhënë goxha, edhe pse duhet kohë që të japin më të mirën e tyre për të qenë në ritmin apo stadin e lojtarëve që u larguan dhe objektivave që ka ky klub gjithmonë.

shehi

Presion pas rezultateve në Europë? Në presion jo, as në siklet se jam i ndërgjegjshëm se në futboll ka momente të mira dhe të këqija. Në Europë kërkonim të merrnim diçka më shumë por ka shumë arsye që nuk u arritën. Por kjo ka qenë periudhë e sikletshme për mua dhe lojtarët që nuk arritëm këto pritshmëri.

Në kampionat jemi shfaqur te porta mjaftueshëm, edhe pse nuk jemi asnjëherë të kënaqur, kërkojmë më të mirën. Kemi 5 pikë, nuk bëjmë llogaritë me kundërshtarët që kemi para apo mbrapa, por te vetja jonë. Kërkoja që të kishim disa pikë më shumë, sigurisht është fillimi dhe ka shumë javë por duhet të kërkojë të përmirësohemi gjithmonë dhe të jemi pak më mirë sa i përket finalizimit se dihet që duhet të shënosh që të fitosh ndeshjet.

Ndryshimi nga viti i kaluar? Vjet nuk është se kishim kusht titullin, edhe vjet ishim skuadër e re. Por në ndryshim me këtë vit, u ndërtuam gjatë periudhës përgatitore dhe kishim kohë të mjaftueshme dhe skuadra ishte e kompletuar. Shkuam në fazë përgatitore dhe e dinim që kishim dy muaj për të përçuar idetë, jo si këtë vit. Pra koha për t’u përshtatur lojtarët, për të pasur idetë e lojës dhe për të luajtur miqësore. Ky është avantazhi që kishim vjet dhe skuadra ishte e plotë dy muaj para fillimit të kampionatit, ndërsa këtë vit erdhën lojtarët në fund.

Ne vijmë ndaj Teutës pas dy ndeshjesh që kemi marrë shumë pak pikë dhe sigurisht kërkojmë të kthehemi te fitorja. Teuta është një ekip që doli kampion dy vite më parë dhe akoma ka lojtarë kampionë në përbërje. Pavarësisht renditjes, Superiorja po tregon se nuk ka skuadra të lehta, të gjitha kanë 3 rezultate brenda. Ajo që kërkojmë me shumë dëshirë e entuziazëm, është të kthehemi te fitorja, por kërkojmë që ajo të vijë me rrjedhë logjike dhe lojë të mirë”, tha ndër të tjera Shehi.

Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×