Laçi-Kastrioti u gjykua nga arbitri Erjon Bastari, ndërsa në VAR ishin Eldorjan Hamiti dhe Ani Koçiaj. Rastet për moviolë nuk munguan, ku nga përsëritja e rasteve del se kemi dy penallti të mohuara për Laçin.
Ja rastet për moviolë:
34-37’ Rami harkon nga e majta, Roganoviç në zonë devijon topin me dorë dhe “sfera” përfundon më pas jashtë pa u devijuar nga askush. Protesta të krutanëve të cilët kërkojnë penallti. Gjyqtari Bastari shkon dhe e kontrollon vetë te monitori i VAR-it dhe pasi vëzhgon pamjet, akordon penallti për Kastriotin. Vendim i drejtë i gjyqtarëve, pasi prekja e topit me dorë është e dukshme nga pamjet.
48’ Adeleke mundohet t’i shmanget Ramit në zonë, ky i fundit e mban dhe pastaj sulmuesi rrëzohet në zonë. Gjyqtari i tregon kartonin e verdhë sulmuesit për simulim. Në këtë rast gjyqtari kryesor dhe VAR-i mund të kenë gabuar pasi tërheqja e fanellës së Adelekes nga Rami është e dukshme. Mbase ngaqë sulmuesi zbukuroi rënien ka bërë që të ndëshkohej për simulim. Nëse jepej penallti në këtë rast, gjithçka do të ishte në rregull. Vendim i gabuar.
55’ Shehu nga e djathta shërben në zonë për Adeleken që shënon, por goli anulohet për pozicion jashtë loje të sulmuesit të Laçit. Vendim i saktë i anësorit. Rasti u kontrollua në VAR, por e pakuptimtë vonesa treminutëshe, pasi avancimi i Adelekes ishte i dukshëm.
65-69’ Për ndërhyrjen e Nezirit në zonë ndaj Guindosë gjyqtari Bastari akordon penallti. Në të 67-ën Guindo merr topin për ta gjuajtur nga pika e bardhë, por Bastari thirret nga VAR-i për të parë rastin dhe në fund anulohet 11-metrëshi, pasi mendohet se Guindo ka shkaktuar faull duke goditur mbrojtësin e Kastriotit. Në këtë rast, duke pasur elementët e 11-metrëshit dhe që kryesori ishte i vendosur për penallti, ndërhyrja e VAR-it ishte e pakuptimtë në këtë rast. Mbrojtësi i Kastriotit nuk ka lidhje me topin, pasi ishte sulmuesi i Laçit që e kishte para dhe po bëhej gati ta gjuante kur pëson kontaktin. Penallti e mohuar për kurbinasit.
Arena e Lajmit
