EKSKLUZIVE/ “Ngrenë dorën pa ditur asgjë”, Idrizi bojkoton asamblenë: Pas 2-3 vitesh thonë na e paskan futur

Sinan Idrizi bojkoton mbledhjen e Asamblesë vjetore të FSHF-së. Presidenti i Flamurtarit gjendet në Itali, por edhe nëse do të ishte në Shqipëri, thotë se nuk do të merrte pjesë. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, Idrizi thekson se 99% e atyre që kanë votuar ndryshimet në statut, nuk e dimë se për çfarë bëhet fjalë, ndërsa “futjen”, sipas tij, do ta kuptojnë kur të bëhen zgjedhje në FSHF.

-800-450-Sinan-Idrizi

Presidenti flet edhe për Flamurtarin, teksa mendon se shpresat janë për të kapur Superioren. I qëndron asaj që ka thënë se ndeshja me Dinamon ishte e vjedhur, por është i sinqertë kur thotë se skuadra ka gabuar me rivalët edhe në ndeshje që nuk duheshin humbur.

Zoti Idrizi, ju munguat në mbledhjen e Asamblesë vjetore të FSHF-së, pse nuk morët pjesë?
Unë nuk jam në Shqipëri. Ndodhem në Milano, në Itali. Por edhe po të isha aty nuk do të merrja pjesë.

Pse nuk do të ishit pjesëmarrës në këtë mbledhje?
Jam i sigurt që 99% e atyre kanë firmosur, por pa e pasur fare haberin se për çfarë bëhet fjalë. Shumica e tyre votojnë apriori. Nuk e kanë lexuar fare se për çfarë bëhet fjalë. Nuk dua t’i fyej, sepse kështu ndodh gjithmonë. Kalojnë në votim (fërshëllen), ngrenë duart një ditë lart, “jeni dakord… dakord”. Është meny klasike fare. As nuk ka lidhje fare me çfarë duhet të bëjnë. I shërben një qëllimi që mendoj se nuk ka lidhje fare me atë që duam të bëjmë ne. Nuk dua që ta paragjykoj. Por nuk e ka lexuar asnjë. Për këtë të jesh i sigurt. Në fund pastaj pas 2 apo 3 vitesh, kur do të bëhen zgjedhjet, do të thonë që ka qenë një gjë me të futur. Do të ankohen kot, por do të ketë kaluar çdo gjë. Nuk e kam idenë… Kështu ndodh gjithmonë, mor burrë. Unë mbaj mend kur kemi bërë ato mbledhjet “online” para 2-3 vjetësh. Unë abstenoja se doja të dija se çfarë ishte. Hiç ore, kalonin të gjitha. Ngri dorën lart dhe ec…

Ju kanë ardhur ndryshimet e statutit me “e-mail”?
Jo, jo, nuk më ka ardhur gjë.

Çfarë prisni nga Flamurtari në këto ndeshje të mbetura?
Pres që skuadra të bëjë të sajën, që unë kam bindjen se do ta bëjë. Flamurtari do të bëjë të sajën dhe e përsëris këtë. Pastaj unë e them që u bëra i bezdisshëm me këtë, objektive dhe subjektive. Tani t’ia lëmë fushës çdo gjë. Të rrimë e të presim.

Sa mendoni se i keni shanset për të kaluar “play off”-et dhe të kapni Superioren?
Shpresat i kemi. Ekipi po stërvitet mirë, kushtet i kemi. Të gjithë janë të impenjuar, që nga stafi e deri te lojtarët. Tani presim maksimumin e mundshëm. Të shikojmë…

Ia keni frikën gjykimit?
Shiko, gjykimi i ndeshjes… Flamurtari ka pasur vetëm një ndeshje problematike. Ajo ka qenë vijë demarkacioni për ne dhe ka qenë ideja e sjelljes së Komisionit të Disiplinës me ngjarjen. Nuk analizoi në mënyrë të drejtpërdrejtë shkak-pasojën dhe nuk mori asnjë masë kundër atyre që bënë këtë. Ky ka qenë rasti që them se u prish gara nga këto.

Por në ndeshjet e tjera keni pasur pretendime për gjykimin?
Gjykimet e tjera gjatë kampionatit kanë qenë korrekte. Nuk ka pasur ndonjë histori. Ne u paraqitëm dobët në ndeshjet tona më vendimtare. Humbëm në Fier, Skënderbeun e kishim në Vlorë dhe nuk e mundëm dot, Dinamon e kishim këtu. Megjithëse ishte ndeshje e vjedhur, por ne nuk shkuam asnjëherë në portën e Dinamos. Pra, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Një ekip që ndeshjet vendimtare nuk i fitoi dot, dhe një gjykim që prishi garën. Pra, janë të dyja gjërat.

ERMAL SIKA – Arena e Lajmit

” “


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×