Prestige ka bërë një tjetër hap përpara në “play off”-in e kampionatit kombëtar “5×5”, aktivitet i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Prestige ka kaluar me sukses edhe raundin e 1/8-ave, duke avancuar tashmë në çerekfinale, teksa mbrëmjen e së shtunës ka mundur me rezultatin 5-1 skuadrën Erniku.
Një fitore që erdhi me përmbysje për ekipin e drejtuar nga trajneri Eldiano Topi, teksa fillimisht ishte Erniku që kaloi në avantazh, por Prestige rikuperoi gjithçka falë golave të Hysenbelliut, Hyskos (2) dhe të vëllezërve Branica.
NDESHJA – Sfida nisi tepër interesante dhe me ritëm të lartë nga të dyja ekipet. Në minutën e 6-të, skuadra e Ernikut gjeti avantazhin me Çerën, i cili ndërmori gjithçka vetë duke shënuar nga distanca pas një depërtimi të bukur individual.
Por 3 minuta më vonë, Prestige riktheu baraspeshën me Hysenbelliun, i cili gjithashtu realizoi nga distanca me një të djathtë potente në gjysmëlartësi, me topin që ndalet në rrjetë. Prestige vijoi të sulmojë për golin e dytë, ndërsa e gjeti atë në minutën e 17-të.
Aksioni nisi nga këmbët e Klejdi Branicës, i cili lëshoi një goditje të fuqishme në drejtim të portës, të cilën fillimisht e ndal portieri, por më pas Hysko përfitoi nga një pasiguri në mbrojtjen kundërshtare për ta çuar sferën në rrjetë. Me rezultatin 2-1 në favor të Prestige u mbyll edhe pjesa e parë e takimit.
Në të 33-ën, Prestige i thelloi shifrat në 3-1, teksa Aldo Branica finalizoi saktë në shtyllën e dytë një kombinim të bukur të nisur nga Hysko, me Rapon që dha asistin.
Edhe goli i katërt për Prestige erdhi pas një aksioni model ndërmjet Ademit dhe Klejdi Branicës, me këtë të fundit që tundi rrjetën në minutën e 42-të me një diagonale të fortë për t’i çuar shifrat në 4-1. Ndërsa 3 minuta nga vërshëllima përfundimtare e ndeshjes, Hysko devijoi saktë një top brenda zone duke kompletuar dopietën personale, për të fiksuar rezultatin final 5-1 për Prestige.
PRESTIGE – ERNIKU 5-1
GOLAT: Hysenbelliu 9’, Hysko 17’ 47’, A.Branica 33’, K.Branica 42’
PRESTIGE: Xhaferi, Rapo (C), Ademi, Hysenbelliu, K.Branica, A.Branica/ Hysko, Limani, Bekaj, Cara, Gjikola, Zefi. Trajner: Eldiano Topi
ERNIKU: Kurti, Lami, Renco, Kuzari, Çera, Rinori/ Mici, Brianci