
Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se për zjarrin në Sazan, Shqipëria po mbështetet nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE
Pas një operacioni prej 48 oresh për vënien në kontroll dhe fikjen e zjarrit në ishullin e Sazanit, ndonëse është bëre e mundur vendosja në kontroll dhe në perimetër u vlerësua e nevojshme ndërhyrja nga ajri.
Për këtë qëllim një avion tip Canadair CL 415 që vjen nga Greqia është aktivizuar sot, herët në mëngjes për shuarjen nga ajri të zjarrit në ishullin e Sazanit.
Ministria thotë se Avioni Canadair CL 415 do të hyje në operacion për shuarjen e zjarrit nga ajri si mbështetje e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Emergency Response Coordination Centre (ERCC), pas kërkesës së bërë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
“Ekspertët vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve në një terren tejet të vështirë, ku megjithë punën e palodhur të forcave tokësore nuk është arritur të izolohen të gjitha vatrat. Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri, puna në terren, krijimi i brezit të shpyllëzimit mbeten thelbësore për izolimin total të zjarrit në një zonë të ish-repartit ushtarak”, thuhet në njoftim.
Avioni Canadair CL-415 është projektuar posaçërisht për shuarjen e zjarrit nga ajri, por ai mund të kryejë edhe role të tjera të ndryshme, të tilla si kërkim-shpëtimi dhe transporti. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Greqi, pas një sërë kontaktesh falënderoi autoritetet atje për përgjigjen në kohë ndaj Shqipërisë.