Mohamed Salah lë mënjanë modes tinë dhe komenton një tjetër sezon ku ai po i lë pas rivalët falë shifrave befasuese. Sulmuesi i Liverpulit është zgjedhur lojtari më i mirë i sezonit në Angli nga gazetarët sportivë.
Pavarësisht rënies së formës këto javët e fundit, egjiptiani ka shënuar 30 gola në total në 48 ndeshjet e këtij sezoni në të gjitha kompeticionet dhe është favorit për të fituar “Këpucën e Artë” të Premier Ligës. Dhe 29-vjeçari është dakord se paraqitjet e tij e meritojnë çmimin që ka fituar dhe këmbëngul se ai është më i mirë se çdo lojtar tjetër në rolin e tij, përfshirë shokët e skuadrës, Sadio Mane dhe Luis Diaz.
“Nëse më krahasoni me çdo lojtar në pozicionin tim, jo vetëm në skuadër, por edhe në botë, do të zbuloni se unë jam më i miri, – tha Salah për “beIN SPORTS”. – Unë fokusohem gjithnjë në punën time dhe bëj më të mirën. Dhe shifrat e mia janë prova më e mirë e fjalëve që po them. Më pëlqen gjithnjë që të krijoj një sfidë të re për veten, të punoj në një mënyrë të ndryshme dhe të bëj diferencën. Kjo është detyra ime”.
REALI – Deklaratat e yllit të sulmit të Jyrgen Klopit vijnë përpara dy finaleve të rëndësishme të sezonit, që nisin këtë të shtunë në “Wembley”, ku do të diskutojnë Kupën FA me Çelsin ndërsa më 28 maj, në Paris, “Reds”-at do të kërkojnë titullin e 7-të të Champions-it në betejën me Realin e Madridit.
Salah do të gjejë këtë fundjavë në “Wembley” fytyra të njohura ndërsa do të luajë përballë ishskuadrës së tij nga e cila u largua në vitin 2016 drejt Romës. Dhe ai nuk është penduar për largimin nga “Stamford Bridge”: “Përpara vitit 2018 disa thoshin se unë nuk mund të bëja asgjë pasi lashë Çelsin, por unë vazhdova të bëja gjëra të mëdha. E mendoj pozitivisht dhe përpiqem të jem në rrugën e duhur”.
Në fund, ai nuk harron që të përsërisë se mezi po e pret finalen e Champions-it për të mbyllur atë llogari të hapur kundër spanjollëve në finalen e Kievit 2018. Sulmuesi la fushën i dëmtuar në minutën e 25-të pasi nxori shpatullën në atë dyluftim të famshëm me Ramosin.
Dhe ai moment nuk është shlyer ende nga kujtesa e tij: “Më kujtohet finalja e fundit kundër Realit sikur të kishte qenë dje. Ne jemi të mirëpërgatitur dhe shpresojmë që të marrim hakmarrjen tonë në finalen e radhës”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – Arena e Lajmit
