Zbardhen detaje të reja nga vrasja në Has, ku një person mbeti i vdekur si pasojë e një konflikti që dyshohet ka nisur për motive pronësie.
Gazetarja e News24, Klodiana Lala raporton për BW se dy ditë më parë, motra 21-vjeçare e viktimës Rushit Sallahu që u vra sot nga Ylber Jaku në fshatin Tpla në qarkun e Kukësit, ka dhunuar fizikisht dy prindërit e autorit të krimit.
Si pasojë e dhunës, të dy të moshuarit janë shtruar në spitalin e Traumës, ku nëna e autorit Ylber Jaku ka thyerje të legenit.
Për këtë konflikt, motra e viktimës është arrestuar një ditë më parë dhe ndodhet në burg.
Gjatë ditës së sotme, autori Ylber Jaku 41-vjeç ka vizituar të moshuarit në spital dhe duke parë gjendjen e tyre të rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës, ka rrëmbyer armën dhe ka vrarë në fshat vëllain e vajzës që dhunoi të moshuarit.
Gazetari i News24, Igli Çelmeta raportoi se nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Pla, humbi jetën Rushit Sallahu 34 vjeç, ndërsa autori është identifikuar si Ylber Jaku 41 vjeç. Ky i fundit është prangosur nga policia, ndërsa është sekuestruar edhe arma e krimit.
Policia më herët njoftoi se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit e dyshuar e përdorur nga autori dhe konflikti mes tyre dyshohet se ka qenë për motive pronësie.
()