Barazim në Klinë, Suhareka rikthehet te fitorja pas gjashtë ndeshjesh

Java e 33-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll vazhdoi të mërkurën me dy ndeshje mjaft interesante, ku vëmendje të veçantë mori fitorja e Suharekës në udhëtim, ndërsa në Klinë u regjistrua barazim pa gola ndërmjet Dukagjinit dhe Prishtinës.

Në stadiumin “18 Qershori” në Klinë u zhvilluan ndeshje e fortë dhe me përkushtim të lartë nga të dyja palët, por pa konkretizim në fazën sulmuese. Takimi përfundoi me rezultat të barabartë 0:0.

Rastin më të mirë në ndeshje e pati Prishtina në minutat shtesë, kur Alban Shillova gjuajti nga distanca por topi u devijua nga portieri në shtyllë.

Ky ishte barazimi i katërt për Dukagjinin në pesë ndeshjet e fundit, krahas një fitoreje, ndërsa Prishtina regjistroi barazimin e tretë në katër ndeshjet e fundit, përfshirë edhe një fitore. Pas këtij rezultati, Prishtina mbetet në pozitën e gjashtë me 44 pikë, ndërsa Dukagjini renditet i shtati me 42 pikë.

Në takimin tjetër të së mërkurës, Suhareka arriti një fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj Feronikelit 74, me rezultat 3:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Skuadra nga Suhareka kaloi në epërsi që në minutën e 9-të me golin e Jakup Berishës, ndërsa Fitim Susuri dyfishoi epërsinë në minutën e 29-të. Në pjesën e dytë, Mevlan Zeka realizoi golin e tretë për Suharekën në minutën e 57-të. Ky ishte goli i 17-të për Zekën këtë edicion, i cili aktualisht ndan pozitën e parë në listën e golashënuesve me sulmuesin e Ballkanit, Sunday Adetunjin.

Feronikeli 74 ngushtoi rezultatin me golin e Adonis Qorrit në minutën e 73-të, ndërkohë që Suhareka mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit me karton të kuq të Steven Kodrës në minutën e 85-të. Në fund të ndeshjes, Feronikeli 74 realizoi një gol që u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për shkak të faullit ndaj një mbrojtësi të Suharekës.

Pas kësaj fitoreje, Suhareka arrin kuotën e 36 pikëve, duke ruajtur gjasat për të qëndruar në elitën e futbollit kosovar. Ajo aktualisht renditet në vendin e nëntë, me katër pikë më pak se Llapi, që zë pozitën e tetë dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook