Investigimi i Vetting/ Si u kthye “Shqipëria 1 euro” në një dështim të planifikuar. Qeveria “arnoi” ligjin 6 herë, dyshime se pronat publike po i kalojnë privatit me çmim më të ulët se vlera e tregut

Armand Kullau, Vjolanda Peca – Emisioni Vetting
Disa javë para datës së zgjedhjeve në 17 prill 2025, Qeveria Shqiptare do të miratonte vendimin numër 226, që do t’i hapte rrugën privatizimit të bregdetit tek ndërtuesit e komplekseve. Ky vendim që ndryshon rregullat se si do të privatizohen pronat shtetërore, u jep mundësinë edhe atyre që kanë përfituar kontrata me qira 1 euro, të përvetësojnë truallin me çmimin e referencës. Në këtë rast, pasuri publike me vlerë shumë të lartë do të kalojnë nga shteti te privati me çmimin e referencës që është shumë herë më i ulët sesa vlera reale e tregut.

Zakonisht ndryshimi i ligjit apo arnimi i tij shpejt e shpejt ndodh kur ka urgjencë, por ky nuk ishte rasti. Kërkimet nga “Vetting” evidentojnë se ky ligj që është krijuar në dhjetor të 2014 dhe është ndryshuar së fundmi, mund të fshehë interesat e oligarkisë të mpleksura me zyrtarë të lartë nga Qeveria Shqiptare për përvetësimin e pasurisë publike.

Zanafilla e kësaj prapaskene lidhet me programin “Shqipëria 1 euro”, e cila i mundëson privatit që të marrë pronat shtetërore në përdorim dhe më pas t’i privatizojë sipas disa kritereve.

Kjo nismë u miratua fillimisht nga qeveria Berisha, ku në vitin 2006 Partia Socialiste, atëherë në opozitë, e kritikoi ashpër këtë projekt, duke e cilësuar si një përpjekje për të “shitur vendin”.

Ironikisht, pas ardhjes në pushtet, qeveria aktuale u dha mundësinë përfituesve nga qiradhënia mbi 500 metro katror që të privatizojnë pronat shtetërore nëse konsumojnë mbi 5 vite kontratën dhe në rast se vlera e investimit të kryer prej tij është mbi 150% e vlerës së truallit duke respektuar kushtet e kontratës.

Në fakt, ky program nxjerr në pah një paradoks politik, ku qëndrimet ndryshojnë në varësi të pozicionit të partisë politike në pushtet.

Pronat Qiraja
Pronat Qiraja

Ndryshimi i ligjit 6 herë në 24 muaj
Gjithçka do të fillonte në 5 shkurt 2014, kur qeveria socialiste do të miratonte vendimin nr.54 për përcaktimin e kritereve, procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo ndryshe të kontratave “Shqipëria 1 euro”. Praktikisht qeveria e re do të rrëzonte vendimin e qeverisë së mëparshme, ku duhet theksuar se teorikisht kriteret e vendosura në kontratë kishin tavan të lartë për vlerën e investimeve që garantonin rritjen e punësimit dhe kapital të lartë të shtuar në GDP-në e vendit.

Në VKM-në nr.54 në kapitullin V, pika 2, përcaktohej që kompanitë që do të përfitonin nga ky projekt pasuritë shtetërore, me sipërfaqe mbi 500 m2, me kontrata qiraje 1 euro duhej të realizonin investime me vlerë 10 milionë euro dhe ky kapital do të investohej në biznesin “FASON”. Në pikën 3 të po këtij kapitulli, Ministria e Ekonomisë mund të propozonte në Këshillin e Ministrave dhënien e kontratave 1 euro edhe me propozim të pakërkuar me vlerë investimi 2 milionë euro. Pra, vetë biznesi i sugjeron qeverisë, në fusha specifike të veprimtarisë si sporti, kultura, turizmi, trashëgimia kulturore dhe në aktivitete që do të ndikojnë në zgjidhjen e problemeve sociale në zona të caktuara.

Fason
Fason

Por çfarë ndodhi?
Nga shkurti 2014 deri në tetor 2016, Këshilli i Ministrave ndryshoi 6 herë ligjin duke zbutur kriteret për të përfituar pasuritë shtetërore, gjë e cila automatikisht do të përjashtonte biznesin e huaj pasi krijoheshin kushte për të favorizuar biznesin vendas.

Konkretisht VKM-ja nr. 54, datë 5.2.2014, do të ndryshohej pas disa muajsh në tetor të po atij viti me 6 VKM të tjera deri në vitin 2016. Pra, brenda 2 muajsh do të kishim kërkesën për ndryshime, mbledhjet e grupit të punës për diskutime dhe në fund do të miratoheshin propozimet me anë të Vendimit Këshillit të Ministrave. Vetëm duke përllogaritur procedurat dhe letërkëmbimet midis institucioneve është e habitshme se si qeveria aktuale brenda një kohë kaq të shkurtër me nxitim kanë bërë ndryshime që lidhen me pasurinë publike.

Pronat 2014
Pronat 2014

Cilat janë ndryshimet e fundit?
Në VKM-në e fundit, në kapitullin V, pika 2 përcaktohej që kompanitë që do të përfitonin nga ky projekt pasuritë shtetërore, me sipërfaqe mbi 500 m2, me kontrata qiraje 1 euro duhej të realizonin tashmë investime jo me vlerë 10 milionë euro, por maksimumi 500 milionë lekë ose 5 milionë euro. Madje investimi do të diversifikohej pasi për veprimtari të ndryshme, do kishte vlera të ndryshme akoma më të ulëta. Konkretisht për veprimtarinë prodhuese me nivele investimi mbi 300 milionë lekë, përpunim aktiv të mallrave, që do të sigurojnë jo më pak se 50 vende pune dhe veprimtari të agrobiznesit, si grumbullim, përpunim dhe shitje të produkteve bujqësore ose blegtorale, me nivele investimi mbi 100 milionë lekë.

500 Pronat Shteterore
500 Pronat Shteterore

Sipas data analistes Anila Salianji, mënyra sesi kjo nismë vazhdimisht ka degraduar është përshtatur në përputhje të interesave të caktuara sepse në dy vite projektligji është ndryshuar 6 herë dhe përshtatej në mënyrë që të shkonte në përputhje me një investitor.

“Nga krahasimi i VKM-së fillestare me atë përfundimtare vërehen edhe lehtësira që mund të ndikojnë në zbatimin e kontratës. Në VKM-në nr 54 të 2014 parashikohet një gjobë në masën e garancisë së vendosur për kontratat, që është 1 milion euro ose 200 mijë euro, por këto penalitete do të jenë të papërfillshme në VKM-në. 693 të tetorit 2016. Tashmë nëse kompanitë nuk realizojnë investimet sipas projektit të propozuar gjoba do të jetë sa 10% i investimit të parealizuar”, deklaroi për “Vetting” data analistja Salianji.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, një nga mangësitë më të theksuara të VKM-së nr. 54 është se nuk ka një kufi të dhënies me qira të sipërfaqeve të pasurisë shtetërore, krahasuar me atë të përcaktuar në planin e biznesit. Në raportin e përpiluar nga auditi kjo është një nga problemet më të evidentuara sepse krijon paqartësi, që nuk favorizojnë klimën e biznesit në vend.

Sipas ekspertit të ekonomisë Mateo Spaho, “Shqipëria 1 euro” është një falimentim dhe një dëm i madh për vetë Shqipërinë dhe shqiptarët sepse tashmë vendi është ndërkombëtarisht i njohur.

“Problemi që ne kemi është që investitorët e huaj serioz nuk afrohen pikërisht se pasuritë e vendit nuk përdorën në mënyrë transparente dhe si pasojë ata që janë serioz do të duan të bëjnë punë reale. Nuk duan t’i futen çështjeve të caktuara që mundet të mbajnë era korrupsion”, tha për “Vetting” eksperti Spaho.

Në të njëjtën linjë me Spahon është edhe eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj, që shprehet se kjo nismë nuk i ka dhënë nxitje ekonomisë për arsye se ka munguar konkurrenca nga investitorët serioz.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook