Joan Laporta i ka idetë e qarta sa i përket merkatos në hyrje të klubit të tij. Presidenti i Barcelonës ka theksuar se të gjithë emrat që përmenden në media, kanë si thelbësore faktin se Barcelona do të vendosë si prioritet situatën ekonomike dhe nuk do të bëjë çmenduri financiare.
Në një intervistë për “Catalunya Radio” ai foli për disa nga emrat që qarkullojnë në media, duke mos dhënë sinjale të qarta për Levandovskin. “Le të lejojmë të punojë drejtorinë e futbollit dhe sekretarinë teknike. Nuk dua të përgjigjem me detaje. Po punojmë që të jemi më konkurrues, por nuk është e thjeshtë me situatën ekonomike. Po punojmë për të shëruar ekonominë e klubit. Duke u nisur nga kjo bazë mund të bëjmë ndërhyrje. Mendoj se në vitin e fundit kemi bërë një shërim të pjesshëm të ekonomisë. Nëse vazhdojmë në këtë rrugë, do të mund të kryejmë të gjithë ndërhyrjet që po mendojmë’, tha fillimisht ai kur u pyet nëse Levandovski do të bëhej pjesë e klubit.
“Po nëse Mbape ju thotë që të bëni një hap për të?”, ishte pyetja që iu bë presidentit të Barcelonës. “Ka disa operacione merkatoje që nuk do t’i bënim edhe nëse do të kishim paratë për to, pasi na shkatërron bilancin e pagave dhe nuk duhet të ndodhë më. Nuk mund të kalohet një nivel i caktuar shpenzimesh. Nëse Mbape kërkon 50 milionë euro neto, ne nuk mund ta paguajmë. Unë nuk e paguaj këtë shifër për lojtarë që nuk fitojnë Ligën e Kampioneve… Nëse flitet për 30 milionë neto, nuk do e bëjmë.. Jo, nuk mund të paguaj 25 milionë euro neto rrogë për një lojtar”, tha ai, duke i mbyllur derën kështu një çmendurie të mundshme për sulmuesin francez.
Arena e Lajmit

Loading…